E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ruka: Rama dhe Berisha në tryezë

03/02/2010  PS shpalos kushtet për nivelin e negociatave
“Një tavolinë me tjetër nivel është e papranueshme për ne”
Partia Socialiste shpalos kushtin e radhës për kundërshtarin e saj politik lidhur me negociatat për zgjidhjen e krizës politike në vend. Deputeti i kësaj partie Ethem Ruka, ndalur në një çështje të tillë vlerësoi se kjo tavolinë duhet të ulë përballë dy kryetarët e dy partive kryesore në vend, pra zotin Edi Rama kryeministrin Sali Berisha. “Një tavolinë me nivele më të ulëta se drejtuesit e këtyre dy partive nuk do të ishte e pranueshme as për ne, por besojmë as edhe për faktorin ndërkombëtar, madje nuk do t’i shërbente zgjidhjes së krizës, e cila është konfirmuar tashmë edhe ndërkombëtarisht.” Në këtë mënyrë, PS-ja shton dhe një tjetër kusht për PD-në. Ndërkohë që Ruka ritheksoi dhe një herë tjetër faktin se “me hetimin e zgjedhjeve përmes hapjes së kutive PS-ja nuk synon aspak ndryshimin e rezultatit të zgjedhjeve në tavolinë e për pasojë as rikonfigurimin e Parlamentit aktual. Synimi i vetëm i saj është garantimi i standardeve europiane në organizimin e zgjedhjeve të ardhshme që garantojnë besnikërisht vullnetin e zgjedhësve shqiptarë”. Nga ana tjetër, deputeti socialist bëri me dije se “në përgjigje të vullnetit të qindra mijë shqiptarëve që votuan për të në javët në vijim do të organizojë më të madhin miting proteste demokratike që është organizuar ndonjëherë në historinë e pluralizmit shqiptar. Ky miting do të ketë vetëm një kërkesë: “Hap kutitë ose largohu!”

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›