Modernizimi i FA-ve, Kuvendi vë veton
03/02/2010 Komisioni parlamentar për Sigurinë miratoi kontratën e Imamit
Helikopterët francezë do të përdoren për operacionet e NATO-s
Kuvendi i Shqipërisë ka mbështetur iniciativën e Ministrisë së Mbrojtjes për modernizimin e Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë. Komisioni parlamentar i Sigurisë miratoi dje marrëveshjen më të fundit që ky dikaster kishte nënshkruar me shoqërinë “Eurocopter” për blerjen e pesë helikopterëve të mesëm shumëpolësh, helikopterë me kapacitetet e duhura për operacionet e NATO-s. Ndërkohë Ministri i Mbrojtjes Arben Imami, i pranishëm në mbledhjen e djeshme, vuri në dijeni komisionin edhe për modernizimin e FA-ve për sa u takon mjeteve ushtarake të detit, konkretisht anijet. “Kontrata më e madhe që Forcat e Armatosura po bëjnë, pasi ajo ka një hapësirë të madhe sa u takon efekteve buxhetore. Por është një blerje e rëndësishme për FA-të tona, që do tu shërbejë atyre si në operacione paqe, humanitare jashtë vendit dhe brenda vendit për tiu përgjigjur emergjencave. Ky është një investim i rëndësishëm në raport me Aleancën. Deri në vitin 2013 duhet të kemi në gatishmëri dy helikopterë. Ky është tipi i helikopterëve të gjeneratës më të fundit teknologjike dhe që operohet dhe në operacione, si në Afganistan etj.”, - theksoi Imami në komision. Këta helikopterë kanë si qëllim transportin e trupave mjekësore, personalitet dhe kërkim-shpëtim. Lidhur me projektet e tjera ministri tha se në të ardhmen do të blihen edhe dy anijeve të tjera. Imami sqaroi se Ministria e Mbrojtjes ka organizuar një proces transparent, të balancuar dhe jo të njëanshëm. “Jam i detyruar të sqaroj komisionin se nuk është bërë asnjë pagesë dhe ajo do të bëhet pasi kontrata të ratifikohet në parlamentin shqiptar. Nga ai moment ne kemi kompetencën që të disbursojmë paratë e taksapaguesve shqiptarë”, - përfundoi ministri Imami mbrojtjen e këtij projektligji.
Domosdoshmëria
Koloneli Baki Bala, shefi i Shtabit të Forcës së Bashkuar në Ushtrinë Shqiptare, sqaroi se domosdoshmëria për të bërë një investim kaq madhor nga ana e Ministrisë së Mbrojtjes erdhi pasi helikopterët që zotërojnë aktualisht FA-të kanë disa probleme, si ato për transportin e trupave dhe kanë vështirësi në operimin në kushte të vështira meteorologjike dhe nuk përmbushin plotësisht disa nga misionet në operacionet e shpëtim kërkimit etj. “Për të evidentuar lidhur me helikopterët AB 205, AB-206 është se janë teknologji e viteve 60-70, që nuk ka kapacitete të mjaftueshme për të plotësuar misionet si të NATO dhe për emergjenca brenda vendit. Flota ekzistuese e helikopterëve në mënyrë graduale dalin nga operacionaliteti për shkak të teknologjisë dhe përmes kësaj pakete, që shtrihet deri në vitin 2013, FA-të duhet të kontribuojë me dy helikopterë transporti të mesëm për operacionet e NATO”, - tha ai.
Formulari i garancisë
Programi i zbatimit të kontratës do të shtrihet në katër vjet buxhetorë dhe do të përfundojë në vitin 2013. Për të siguruar plotësimin e kontratës do të lëshohet një formular garancie me shumën 7 863 328 80 euro, që përfaqëson 10 % të shumës totale të kontratës që lëshohet në favor të blerësit. Ky formular garancie do të lëshohet në formën e një detyrimi përmbushjeje nga një bankë ndërkombëtare e klasit të parë në Francë. Ky detyrim do të bëhet efektiv nga data e hyrjes në fuqi të kontratës, e cila njoftohet në bankë nga blerësi menjëherë pas marrjes së pagesës së këstit të parë dhe do të jetë i vlefshëm 30 ditë pas dërgimit të helikopterit të fundit ose jo më vonë se 31 maj 2013. Detyrimi i përmbushjes do tu nënshtrohet rregullave uniformë të Dhomës Ndërkombëtare të Tregtisë për kërkesën e garancive, që do të jetë detyrues për palët.
Ligjshmëria
Procedura e prokurimit “Blerje të helikopterëve të mesëm shumëpolësh” është bazuar në vendimin nr.1 403, datë 27.10.2008, të Këshillit të Ministrave, “Për disa shtesa dhe ndryshime në vendimin nr. 521, datë 8.8.2007, të Këshillit të
Ministrave, Për procedurat e blerjes nga Ministria e Mbrojtjes të disa mallrave të përjashtuara nga rregullat e përgjithshme të prokurimit”. Blerja e tyre ka kaluar në një proces të gjatë diskutimi dhe analize gjatë një periudhe gati dyvjeçare. Hapa të këtij procesi kanë qenë përgatitja e kërkesës operacionale në përshtatshmëri me misionin, klasifikimi i projektit “Për qëllime të mirëfillta ushtarake” nga hardi i modernizimit, përgatitja e propozimit teknik dhe miratimi i tij në bordin e modernizmit, hapja dhe zhvillimi i procedurës së prokurimit, vlerësimi operacional, teknik dhe financiar i ofertave dhe negocimi i kontratës.