E Shtunë, 31 Tetor 2026

Xhaferri kërkon lundrimin e anijeve me vela

03/02/2010  Moratoriumi, ministri i Kulturës letër Kryetares së Kuvendit, Topalli
Amendamentet për përjashtimin nga ligji të disa kategorive do t’i propozohen seancës
Ministria e Kulturës i kërkon Kuvendit përjashtimin nga moratoriumi i skafeve edhe të anijeve me vela. Përmes një letre dërguar Kryetares së Kuvendit ministri Ferdinand Xhaferri propozon shtimin në projekt të një kategorie tjetër anijesh, siç është ai i mjeteve lundruese me vela, me të cilat ushtrohet sporti me vela nga organizatat joqeveritare. “Kërkojmë që në nenin 3 të ligjit të moratoriumit të shtohet pika ‘d’ me përmbajtjen: mjetet lundruese me vela me të cilat ushtrohet sporti me vela nga organizatat joqeveritare në përputhje me ligjin nr. 9376, datë 21.4.2005 ‘Për sportin’”, - lexoi letrën drejtuar Topallit kryetari i Komisionit të Sigurisë Leonard Demi. Pas njohjes me këtë letër deputetët e komisionit iu rikthyen diskutimit të projektligjit “Për moratoriumin”, ku u propozua gjithashtu edhe dërgimi në seancë i amendamentit “Hoxha”, i quajtur kështu për shkak të emrit të propozuesit Fatos Hoxha. “Propozoj që amendamenti “Hoxha”, që përjashton nga moratoriumi motorët e ujit, t’i shkojë Kuvendit”, - tha kryetari i grupit parlamentar të Partisë Demokratike Astrit Patozi. Propozimi për përjashtimin nga moratoriumi i skafeve të mjeteve motorike të lundrimit turistik dhe të sporteve ujore u bë nga deputetët e Komisionit parlamentar të Sigurisë një javë më parë. Ata gjykuan shtimin e kësaj kategorie në listën e përjashtimeve, pasi arsyetuan se mjete të tilla lundrimi nuk përbënin rrezik të madh për trafiqet. “Mjete të tilla lundrimi kemi parë të qarkullojnë kundër ligjit në këto vitet e fundit, kështu që le t’i ligjërojmë duke i përfshirë në ligj”, - tha deputeti i PD-së Hoxha. Pas diskutimeve komisioni vendosi të thërrasë ekspertë të Ministrisë së Brendshme, të cilët në bashkëpunim me këshilltarët e Komisionit parlamentar për Sigurinë do të përcaktojnë kategoritë e qarta të këtyre lloj mjeteve lundruese, që si deputeti Hoxha, ashtu edhe Ministria e Kulturës dëshiron t’i përjashtojnë nga moratoriumi. Projekti pezullon të gjitha lëvizjet e mjeteve motorike lundruese shqiptare në ujërat territoriale dhe të brendshme të Shqipërisë, pavarësisht nga funksioni i përdorimit të mjetit për tre vjet rresht. Ai u miratua një herë në vitin 2006 dhe shtyrja e tij edhe tre vjet të tjerë u vlerësua i domosdoshëm nga qeveria shqiptare, në kuadër të partneritetit për të luftuar trafiqet e paligjshme të të gjitha llojeve, për kontrollin e kufirit detar dhe parandalimin e emigracionit klandestin drejt vendeve të BE-së. Projekti i qeverisë parashikon edhe disa kategori përjashtuese, kryesisht mjetet të transportit detar të licencuara.
Varianti i qeverisë
Kryeministri Berisha ka mbrojtur me fanatizëm variantin e qeverisë për moratoriumin e mjeteve të lëvizshme detare. “Kjo është dëshmi e një vullneti të kësaj mazhorance që industria e mafies të mos mund të zhvillohet më në brigjet tona. Këtu dua të theksoj se heqja e këtij moratoriumi është e pashpresë për sa kohë kjo mazhorancë të jetë në pushtet. Nuk do të ketë skafe në ujërat tona. Ky është qëndrim politik”, ß ka deklaruar Kryeministri Berisha.
Përjashtimet
Përjashtohen: mjetet motorike lundruese në përdorim të organeve shtetërore dhe të shërbimeve portale; mjetet lundruese të destinuara vetëm për peshkim sipas ligjit nr. 7 908 “Për peshkimin dhe akuakulturën”, i ndryshuar; mjetet e transportit detar që shërbejnë për transportin e mallrave; mjetet e transportit detar të licencuara për transport pasagjerësh dhe të klasifikuara nga Regjistri Detar Shqiptar si mjete lundruese për transport udhëtarësh”.
Gjobat
Shkeljet e moratoriumit për skafet kur nuk përbëjnë vepër penale përbëjnë kundërvajtje administrative dhe kundërvajtësi dënohet me gjobë në masën 800 000 deri 1 milion lekë dhe me konfiskim të mjetit. Vendimi për masën administrative merret nga shefi i komisariatit të juridiksionit të konstatimit të shkeljes. Kundër këtij vendimi brenda 10 ditëve nga marrja dijeni bëhet ankim te drejtori i policisë së qarkut.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›