KE: Liberalizimi i vizave për Kosovën, kur të plotësohen kushtet
Regjimi i heqjes të vizave për Kosovën do të mund të zbatohet vetëm kur shteti i ri të plotësojë kushtet ashtu si vendet e tjera të Ballkanit Perëndimor. Kështu deklaroi numri dy i Komisionit Europian, Zhak Baro, në Pragë. “Duhet që në Kosovë, ashtu si dhe në vendet e tjera, të përmbushen kushtet, të cilat janë vënë për të gjitha vendet ballkanike”, - tha ai në fund të konferencës dy ditore në Pragë me titull “Ndërtimi i partneriteteve të migracionit”. Baro tha se Kosova do të trajtohet njësoj si vendet tjera të rajonit, “me kusht që të pranojë obligimin për të realizuar disa parime të caktuara për thjeshtësimin e regjimit të vizave”. Në konferencën e Pragës morën pjesë 54 delegacione nga 47 vende.
Sllovenia dhe Kroacia, BE-ja u bën thirrje për zgjidhjen e kontestit
Bashkimi Europian ka kërkuar nga Sllovenia dhe Kroacia, që të pranojnë ndërmjetësimin ndërkombëtar lidhur me kontestin për kufirin. Në takimin e ministrave të Jashtëm të vendeve anëtare të BE-së, nga Sllovenia u kërkua që çështjen ta kalojë për shqyrtim te një këshill ndërkombëtar i arbitrazhit, në mënyrë që Kroacia të zhvillojë bisedimet për pranimin në BE deri në fund të këtij viti. Në një takim të ndarë, BE-ja, po ashtu, kërkoi nga Kroacia që të pranojë arbitrazhin. Në fund të javës së kaluar, bisedimet e Kroacisë me Bashkimin Europian u pezulluan dhe kjo shihet si një pengesë e madhe për ambiciet e këtij vendi për anëtarësim në BE në vitin 2011.
29 Prill 2009