KE: Pajisja e kartave, duhet transparencë nga qeveria
Këshilli i Evropës thekson se shtyrja e zgjedhjeve nuk është në interes të Shqipërisë
TIRANË- Delegacioni paraelektoral nga Asambleja Parlamentare e Këshillit të Evropës i beri thirrje qeverisë që të përmbushë kërkesat që partitë politike kanë, lidhur me listat e zgjedhësve. Kryesuesja e delegacionit të Komisionit Ad- Hoc të Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës, e ngarkuar për vëzhgimin e zgjedhjeve në Shqipëri, Corien Jonker, gjatë një deklarimi për mediat bëri disa vlerësime për situatën parazgjedhore në Shqipëri, ku u ndal veçanërisht tek çështja e debatuar e kartave të identitetit, që do të përdoren në zgjedhjet e qershorit. "Kërkojmë që qeveria, e cila është përgjegjëse në këtë proces, të jetë shumë transparente, duke ofruar të gjitha listat dhe formacionet e tjera që kërkohen nga partitë politike", - tha Jonker.
Duke vënë në pah vonesat në procesin e pajisjes me letërnjoftime të shtetasve që nuk kanë pasaportë, shefja e delegacionit të KE-së theksoi se, deri në ditën sotme (dje), jo çdo shqiptar që nuk ka pasaportë, ka aplikuar për letërnjoftim dhe se jo të gjithë ata që kanë aplikuar e kanë marrë atë. "Tashmë kanë mbetur tri javë nga dita e zgjedhjeve, kështu që përgjegjësia e qeverisë është shumë e madhe që të realizojë një proces të rregullt, ku të gjithë ata që duan të votojnë të kenë mundësinë që të aplikojnë dhe të pajisen me një kartë identiteti",- shtoi ajo.
E pyetur për idenë e shtyrjes së zgjedhjeve, kryesuesja e delegacionit të KE-së tha se, "kjo mundësi është hedhur nga disa aktorë, por ajo nuk është absolutisht në interes të Shqipërisë dhe nuk do të ndihmonte në funksionimin e sistemit, pasi ka pasur kohë të mjaftueshme për funksionimin e mirë të tij". Vizita e djeshme e delegacionit të Asamblesë Parlamentare të KE-së, do të pasohet me një mision tjetër monitorimi në Shqipëri, në ditën e zgjedhjeve, më 28 qershor. Ndërkohë, në deklaratën zyrtare të këtij delegacioni, thuhet se KE-ja vlerëson se zgjedhjet parlamentare të 28 qershorit 2009 do të jenë një test pjekurie për demokracinë në Shqipëri.
Në këtë drejtim, ai u bën thirrje autoriteteve në Shqipëri të implementojnë plotësisht rekomandimet e Asamblesë Parlamentare. Delegacioni thekson se zgjedhjet demokratike nuk janë të kufizuara vetëm në ditën e votimit. "Autoritetet e vendit dhe të gjithë aktorët politikë kanë përgjegjësinë të sigurojnë kushtet e nevojshme për shprehjen e lirë të vullnetit të të gjithë qytetarëve të Republikës së Shqipërisë. Delegacioni pret dhe do ta monitorojë nga afër, që autoritetet do të garantojnë karakterin demokratik të këtyre zgjedhjeve, siç është premtuar", - thuhet në deklaratën zyrtare.