E Shtunë, 31 Tetor 2026

Debati, PD kundër vëzhguesve vendorë

TIRANË- Partia Demokratike duket se është e interesuar që zgjedhjet e ardhshme parlamentare të jenë sa më pak të monitoruara. Pasi kundërshtoi kandidaturën e Gloverit në krye të misionit të vëzhguesve afatgjatë të ODIHR-it, duke provokuar në këtë rast edhe një incident diplomatik, demokratët janë përpjekur dje në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve, duke ia arritur deri diku që të pengojnë regjistrimin e dy grupeve të vëzhguesve vendorë afatgjatë që kishin paraqitur interes të monitoronin procesin përgatitjes së infrastrukturës zgjedhore dhe zhvillimit të zgjedhjeve parlamentare të 28 qershorit.


Kështu, KQZ-ja, falë presionit të përfaqësuesit demokrat në këtë komision, Njazi Kosovrasti, ka kthyer për plotësim dokumentacioni listat e vazhduesve të "Forumit ndërkombëtar për të drejtat e njeriut në Shqipëri", si dhe listat e "Koalicionit të vëzhguesve vendorë". Faktikisht, ky vendim ishte një zgjidhje konsensuale që ofroi kryetari i KQZ-së, Arben Ristani, pasi kërkesa jo vetëm e përfaqësuesit të PD-së në këtë komision, por edhe e anëtarëve të kësaj force, ishte rrëzimi i tyre si të papranueshme. Argumenti i servirur prej demokratëve kishte të bënte pikërisht me faktin se vërtetimi i gjykatës i paraqitur prej këtyre OJF-ve nuk ishte korrekt dhe se objekti i aktivitetit të tyre, shpeshherë, nuk kishte të bënte fare me zgjedhjet apo jetën politike në vend.


Duke u ndalur në listat e 174 vëzhguesve të paraqitur nga Koalicioni i Vëzhguesve Vendor, Kosovrasti ka atakuar fort dokumentacionin e paraqitur prej saj, duke evidentuar faktin se ky koalicion nuk ekziston i regjistruar si subjekt në gjykatë dhe se shumica e shoqatave që e përbëjnë atë nuk kanë objekt të veprimtarisë së tyre zhvillimet politike. "Në materialin që na është vënë në dispozicion kemi vetëm një kërkesë që është bërë nga Gerta Meta, e titulluar drejtore ekzekutive e shoqatës për Kulturë Demokratike. Në kërkesën e saj përmenden 7 OJF dhe në të flitet për një Koalicion të Vëzhguesve Vendorë 2009.


Unë nuk e di ç'është ky koalicion, a është i regjistruar gjëkundi ky dhe a ka ndonjë dokument apo ndonjë akt që, kjo zonjë, është ajo që përfaqëson këtë koalicion këtu për të paraqitur këto lista. Krejtësisht e papranueshme dhe më vjen shumë keq që ky dokumentacion futet në mbledhje", - tha Kosovrasti. Në dokumentacionin e sjellë prej këtij koalicioni, ai ka vënë re dhe një pasaktësi në dokumentacionin e paraqitur nga Lëvizja MJAFT, e cila së bashku me 6 organizata dhe shoqata të tjera pretendon se kanë formuar Koalicionin e Vëzhguesve Vendorë. Sipas Kosovrastit, në vërtetimin që gjykata ka lëshuar për këtë organizatë, rezulton se kryetari aktual i G99-ës, Erion Veliaj, i cili është regjistruar si kandidat për deputet në zgjedhjet parlamentare të 28 qershorit, është ende drejtor i bordit të drejtorëve të Lëvizjes MJAFT.


Por, sipas përfaqësuesit socialist në KQZ, Genci Gjonçaj, pretendimi i demokratëve është i pabazë, pasi dokumentacioni i sjellë prej të dyja këtyre grupimeve që kërkojnë të akreditojnë vëzhgues është korrekt dhe nuk bie në kundërshtim me udhëzimin e miratuar prej vetë KQZ-së. Ai është shprehur se një forcë politike që është kundër monitorimit, tregon se ka frikë nga transparenca. "Këto shoqata kanë zbatuar ligjin dhe nuk kanë shkelur asnjë pikë të udhëzimit që ju keni miratuar. Vetëm Hugo Çavezi thotë që s'ka nevojë për vëzhgues për zgjedhjet", - deklaroi Gjonçaj. Në pamundësi për të gjetur gjuhën e përbashkët, kreu i KQZ-së, Arben Ristani, është detyruar ta hedhë në votim propozimin për shtyrjen e miratimit të këtyre listave, çka është kundërshtuar fort nga dy anëtarët e tjerë demokratë në këtë komision, të cilët kanë kërkuar rrëzimin e listave.

 

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›