E Diel, 1 Nëntor 2026

KE: Përparim në zgjedhje, u trondit besimi i publikut

 

ADI SHKEMBI

Këshilli i Evropës vlerëson zgjedhjet e 28 qershorit në Shqipëri, por shton se këto përmirësime janë lënë në hije pas politizimit që iu bë aspekteve teknike të procesit dhe shkeljeve të gjetura gjatë fushatës elektorale. Pak ditë pas publikimit të raportit të misionit të OSBE/ODIHR-it, një tjetër mision, ai i ngarkuar nga Asambleja Parlamentare e Këshillit të Evropës ka publikuar raportin, i cili përfshin periudhën parazgjedhore deri pak ditë pas mbylljes së kutive të votimit. Në raport thuhet se, “vëzhguesit e Asamblesë Parlamentare theksojnë se zgjedhjet parlamentare të 28 qershorit 2009 në Shqipëri kanë shënuar përparim falë futjes së procedurave të reja për regjistrimin dhe identifikimin e votuesve, dhe për miratimin e një kuadri të përmirësuar ligjor. Ata gjithashtu vunë në dukje përmirësimin në funksionimin e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve”. Megjithatë, sipas përfaqësuesve të Strasburgut, të cilët ndoqën nga afër zgjedhjet parlamentare, këto përmirësime janë lënë në hije nga politizimi i segmenteve teknike të procesit dhe nga shkeljet e gjetura gjatë fushatës, të cilat tronditën besimin e publikut në procesin zgjedhor.
Fushata
Lidhur me periudhën parazgjedhore, vëzhguesit vlerësojnë se janë bërë përpjekje nga autoritetet vendase për të kompletuar procesin e vështirë të identifikimit të banorëve të vendit dhe lëshimin e kartave të identitetit dhe pasaportave të reja. Por ata kritikojnë faktin se kjo çështje zuri peshën kryesore në fushatën elektorale. Një tjetër shqetësim i të dërguarve të Këshillit të Evropës ishte përdorimi i administratës publike në fushatë. “Vëzhguesit i konsideruan shqetësuese informacionet e dhëna nga partitë opozitare në lidhje me përdorimin e burimeve administrative, të cilat u përdorën për qëllime të fushatës zgjedhore. Nëpunësit publikë, mësuesit dhe personeli mjekësor që mbështesnin kandidatët e opozitës, u kërcënuan me humbjen e vendit të punës”, thuhet në raport. Lidhur me këtë çështje, komiteti ad hoc ftoi zyrtarët e partive politike dhe përfaqësuesve të shoqërisë civile për të ngritur një grup të përbashkët për të shqyrtuar të gjitha rastet e presionit të ushtruar mbi njerëzit gjatë fushatës zgjedhore dhe për të nxjerrë përgjegjësit. Një tjetër shqetësim i vëzhguesve ishte përfaqësimi i vogël i grave në Parlament.
Votimi dhe numërimi
Dita e votimit, vlerëson raporti, ishte e qetë dhe votimi ishte i organizuar mirë, me asnjë incident apo të dhunës. Sipas të dhënave statistikore të vëzhguesve, procesi i votimit u vlerësua “i mirë” ose “shumë i mirë” në 93% të qendrave të votimit të inspektuar. Vëzhguesit vërejtën një numër parregullsish dhe probleme të tjera, si hapjen me vonesë të 2/3 e qendrave të votimit, mungesa dhe cilësia e dobët e furnizimit të caktuara si p.sh. boja; shkelje të fshehtësisë së votimit në disa raste, veçanërisht në rajonet rurale; raste të votimit familjar etj. Përsa i përket numërimit, vëzhguesit e Këshillit të Evropës theksojnë se është i papranueshëm fakti që dhjetë ditë pas mbylljes së kutive, opinioni publik dhe ndërkombëtarët nuk kishin informacion për rezultatin zyrtar të zgjedhjeve. “Vëzhguesit theksojnë se është e papranueshme që dhjetë apo më shumë ditë pas ditës së votimit, qytetarët e Shqipërisë dhe bashkësia ndërkombëtare nuk janë të informuar për rezultatin zyrtar të zgjedhjeve parlamentare në një vend me rreth 3.1 milionë votues”, citohet në raport. Gjithashtu numërimi i votave u shoqërua nga një nivel shumë i lartë mosbesimi ndërmjet partive politike, përfaqësuesve të partive politike në të gjitha nivelet e administratës zgjedhore. “Në shumë raste, numërimi i votave u bllokua përkohësisht. Në disa raste problemi ishte për të vendosur nëse vota të caktuara duhet të llogariten ose jo. Rrjedhimisht, vëzhguesit rekomandojnë që, për zgjedhjet e ardhshme, procedura e numërimit të votave duhet të përmirësohet ndjeshëm dhe numri i ekipeve të numërimit të rritet ndjeshëm në çdo zonë të qendrave të numërimit”, shtojnë më tej vëzhguesit. Ata rekomandojnë që në bashkëpunim me Komisionin e Venecias të përmirësohen disa aspekte: regjistrimi në gjendjen civile dhe regjistrimi i qytetarëve që jetojnë jashtë shtetit; rregullorja e mbulimit të mediave dhe përdorimi i fondeve publike në fushatë; mënyra e shkarkimit të anëtarëve të komisioneve zgjedhore; përfshirja e grave në listat e kandidatëve për të qenë në pozitë më të mirë; të shfuqizohet neni që lejon kryetarët e partive të kandidojnë në çdo qark.

Konkluzione dhe rekomandime

    Vëzhguesit e Asamblesë Parlamentare theksojnë se zgjedhjet parlamentare të 28 qershorit 2009 në Shqipëri kanë shënuar përparim falë futjes së procedurave të reja për regjistrimin dhe identifikimin e votuesve, dhe për miratimin e një kuadri të përmirësuar ligjor. Ata gjithashtu vunë në dukje përmirësimin në funksionimin e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve.
    Megjithatë, këto përmirësime janë lënë në hije nga politizimi i segmenteve teknike të procesit dhe nga shkeljet e gjetura gjatë fushatës, të cilat tronditën besimin e publikut në procesin zgjedhor.
    Vëzhguesit vërejtën se dita e votimit ishte e qetë, procesi i votimit ishte i organizuar mirë dhe pa ndonjë incident ose dhunë.
    Ndërsa duhet theksuar përpjekja e rëndësishme e bërë nga autoritetet për të kompletuar procesin e vështirë të identifikimit të banorëve të vendit dhe lëshimin e kartave të identitetit dhe pasaportave të reja, vëzhguesit ndjejnë keqardhje që kjo çështje u bë çështje kryesore e fushatës zgjedhore.
    Vëzhguesit vlerësojnë si shqetësuese dhe të papranueshme që parregullsitë vazhdojnë të jenë të njëjta nga njëri proces zgjedhor në tjetrin si: keqpërdorimi i nëpunësve publikë, kërcënimi për humbjen e vendit të punës për mësuesit dhe mjekët që mbështesin kandidatët e opozitës. Në lidhje me këtë, komiteti ad hoc fton zyrtarët e partive politike dhe përfaqësuesve të shoqërisë civile për të ngritur një grup të përbashkët për të shqyrtuar të gjitha rastet e presionit të ushtruar mbi njerëz gjatë fushatës zgjedhore dhe për të nxjerrë përgjegjësit.
    Vëzhguesit shprehin keqardhjen se në zgjedhjet e 28 qershorit 2009 nuk është marrë parasysh, në mënyrë kuptimplote, përfaqësimin e grave në Parlament.
    Vëzhguesit theksojnë se është e papranueshme që dhjetë apo më shumë ditë pas ditës së votimit, qytetarët e Shqipërisë dhe bashkësia ndërkombëtare nuk janë të informuar për rezultatin zyrtar të zgjedhjeve parlamentare në një vend me rreth 3.1 milionë votues.
    Numërimi i votave u shoqërua nga një nivel shumë i lartë mosbesimi ndërmjet partive politike, përfaqësues të partive politike në të gjitha nivelet e administratës zgjedhore. Në shumë raste, numërimi i votave u bllokua përkohësisht. Në disa raste problemi ishte për të vendosur nëse vota të caktuara duhet të llogariten ose jo. Rrjedhimisht, vëzhguesit rekomandojnë që, për zgjedhjet e ardhshme, procedura e numërimit të votave duhet të përmirësohet ndjeshëm dhe numri i ekipeve të numërimit të rritet ndjeshëm në çdo zonë të qendrave të numërimit.
    Vëzhguesit rekomandojnë që në bashkëpunim me Komisionin e Venecias të përmirësohen disa aspekte: regjistrimi në gjendjen civile dhe regjistrimi i qytetarëve që jetojnë jashtë shtetit; rregullorja e mbulimit të mediave dhe përdorimi i fondeve publike në fushatë; mënyra e shkarkimit të anëtarëve të komisioneve zgjedhore; përfshirja e grave në listat e kandidatëve për të qenë në pozitë më të mirë; të shfuqizohet neni që lejon kryetarët e partive të kandidojnë në çdo qark.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›