Komisionerët u emëruan me vonesë
Këshilli i Evropës në raportin për zgjedhjet e 28 qershorit vë theksin te mungesa e profesionalizmit të komisionerëve në nivelet e dyta dhe të treta. “Emërimi i vonuar nga partitë politike të anëtarëve të KQV-ve pati një ndikim negativ në programet e trajnimit me qëllim për anëtarët e KQV-ve. Si pasojë, në ditën e zgjedhjeve, vëzhguesit vunë në dukje, veçanërisht në rajonet rurale, që anëtarëve të KQV-ve i mungonte profesionalizmi dhe kishin shumë pak njohuri për procedurat e votimit”, thuhet në raport. Vëzhguesit në përfundimet e tyre kanë vlerësuar në tërësi punën e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, por kanë shtuar se, “ndikimi i partive politike brenda këtij institucioni mbetet i konsiderueshëm. Rrjedhimisht, shumica e vendimeve të KQZ-së janë marrë në përputhje me qëndrimet e partive që i takojnë anëtarët e KQZ-së”.