MASH nxjerr urdhrin e dytë: Të gjithë fituesit janë të regjistruar
VLORE - Deklarata e stafit akademik të universitetit "Ismail Qemali" në Vlorë risjell një urdhër të dytë të ministrit të Arsimit, Myqerem Tafaj për regjistrimin e të gjithë studentëve që nuk u pranuan për shkak të mesatares nën 6. Vetëm pak orë para këtij urdhri, Universiteti i Vlorës doli në një qëndrim të tijin kundër regjistrimit të rreth 500 maturantëve pa mesataren e kërkuar. Por urdhri i thyer i ministrit bëri që ky i fundit t'i përgjigjet këtij reagimi me një tjetër deklaratë zyrtare. "Në përfundim të afatit të dorëzimit në MASH të listave të kandidatëve fitues në universitetet publike, ministri Myqerem Tafaj i ka dërguar sot (dje) një njoftim zyrtar Agjencisë së Pranimeve në Institucionet e Arsimit të Lartë, APRIAL dhe për dijeni edhe Universitetit të Vlorës "Ismail Qemali". Sipas këtij njoftimi, kandidatët fitues të shpallur në listat paraprake nga Agjencisë Kombëtare të Pranimeve në Institucionet e Arsimit të Lartë, të cilët brenda datës 20.09.2009 nuk janë lejuar për të kryer regjistrimin paraprak në programin e studimit, ku janë shpallur fitues nga Universiteti "Ismail Qemali" Vlorë për shkak të mesatares nën notën 6, do të konsiderohen që e kanë kryer regjistrimin paraprak", thuhet në njoftimin e zyrtar të dikasterit të arsimit. Sipas këtij njoftimi, këta kandidatë nuk e humbasin të drejtën e regjistrimit. "Ata do të përfshihen në listat përfundimtare të kandidatëve fitues që do të shpallen nga APRIAL, në bazë të parimit Meritë-Preferencë", përfundon njoftimi i MASH. Pak orë para këtij reagimi të ministrit, pedagogët e Vlorës kërcënuan me largimin e tyre nga puna në rast se këta maturantë do të regjistrohen. "Në qoftë se na detyrojnë dhe na bëjnë presion që ta shkelim ligjin, atëherë ju bëjmë me dije që për ne nuk ka vend të punojmë në një universitet, ku nëpërkëmbet dinjiteti dhe personaliteti i senatit dhe stafit akademik nga institucionet qendrore me urdhra arbitrare institucionale", thuhej në deklaratën e stafit akademik të Universitetit të Vlorës. q.b