E Diel, 1 Nëntor 2026

Kuvendi nis punën pa opozitën

 

Komisionet parlamentare nisin punën pa prezencën e deputetëve socialistë. Kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli mblodhi për herë të parë dje konferencën e krerëve të grupeve parlamentare. Në të bënin pjesë krerët grupeve parlamentare PD dhe LSI, kryetarët e komisioneve parlamentare, si dhe dy zëvendëskryetarët e Parlamentit. Sipas njoftimit për shtyp Konferenca e Kryetarëve miratoi me konsensus kalendarin trejavor të punimeve 22 shtator-19 tetor 2009, si dhe programin e punës 22 shtator-16 nëntor 2009. Në këto prioritete mbeten projektligjet e miratuara nga e qeverisë, ku përfshihet ai i Legalizimeve, “Për marrëveshjen për ujërat territoriale kufitare ndërmjet Greqisë dhe Shqipërisë”, “Për mbrojtjen e dëshmitarëve dhe të bashkëpunëtorëve të drejtësisë”, “Për profesionet e rregulluara”. Pas konferencës, komisionet parlamentare të Ekonomisë dhe Ligjeve kanë qenë të parat që janë mbledhur dje pa praninë e opozitës. Kryetari i komisionit të Ligjeve, Ilir Rusmali, i bëri thirrje opozitës që të kthehet në Kuvend, pasi miratimi i reformave ligjore kërkon dhe kontributin real të deputetëve socialistë të opozitës. “Reforma në drejtësi kërkon jo vetëm prezencën dhe bashkëpunimin, por dhe kontributin real të opozitës, që të jetë një reformë e qëndrueshme dhe afatgjatë. Ne do të bëjmë të gjitha përpjekjet, por dhe do të kërkojmë të gjithë mbështetjen e ekzekutivit që reforma në drejtësi të ecë përpara”, tha kryekomisioneri.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›