E Diel, 1 Nëntor 2026

Topi: PS të shkojë në Kuvend

 

Ilir BABARAMO

Presidenti Bamir Topi flet për zgjedhjet e 28 qershorit, duke vlerësuar si të qetë ditën e votimit, por me probleme numërimin e votave. Në një intervistë në emisionin “5 pyetje nga Babaramo”, kreu i shtetit thekson faktin se ai s’mund të japë një verdikt për këto zgjedhje, për aq kohë sa partitë nuk i dhanë një anëtar të KQZ-së.
A ishin të lira dhe të ndershme zgjedhjet e 28 qershorit?
Unë besoj që kjo nuk mund të jepet me një përgjigje ashtu siç e kërkon zoti Babaramo tek “Pesë pyetjet”, ndaj i parapriva kur thashë se, kjo kërkon një analizë relativisht të gjatë. Në rast se keni ardhur për të dëgjuar versionin e Presidentit, duhet të keni durim ta dëgjoni, sepse Presidenti nuk mund të japë asnjë lloj verdikti për zgjedhjet. Kjo është arsyeja që partitë politike dhe i bënë ndryshimet e Kushtetutës. Në përbërjen e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, nuk e panë të arsyeshme që të kishte dhe një përfaqësues të Presidentit të Republikës, çka do të thotë që e profilizuan Komisionin Qendror të Zgjedhjeve në mënyrë politike, partiake. Ky është një element, se pse Presidenti nuk mund të certifikojë zgjedhjet, pasi është Komisioni Zgjedhor i Zgjedhjeve ai që bën certifikimin e zgjedhjeve. Së dyti, ne jemi një vend ende në tranzicion. Askush nuk mund të thotë që është mbyllur tranzicioni në Shqipëri. Tranzicioni në Shqipëri do të mbyllet në momentin kur Shqipëria do të jetë vend anëtar në Komunitetin Evropian. Pra, ne jemi një vend në monitorim dhe ka pasur një gatishmëri të shprehur nga të gjitha partitë politike për të pranuar monitorimin ndërkombëtar. Ne bëjmë pjesë në organizata, të cilat bëjnë monitorimin, por dhe bashkëpunimin me Shqipërinë për rritjen e standardeve demokratike. Kjo qe arsyeja që, ndonëse personazhe të veçanta, aktorë politikë, të medias filluan të shqetësohen se përse nuk flet Presidenti, natyrisht Presidenti e njeh shumë mirë në pozicionin e tij, është orientuar shumë mirë me Kushtetutën, me ligjin, i njeh koniunkturat politike, zhvillimet politike, njeh rolin e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, njeh rolin e monitorëve ndërkombëtar dhe sot ne mund të flasim me referenca shumë të qarta. Domethënë, ka pasur një shpallje të rezultateve nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, ka pasur një vlerësim nga monitorët ndërkombëtarë, të cilët po ta vlerësoni me kujdes, do të shikoni se nuk japin një përgjigje eksplicite, po, ose jo. Ata japin variante të ndryshme në funksion të çështjeve të caktuara, pra, i referohen temave të caktuara për të bërë analizën e për të dhënë konkluzionet. Kjo është arsyeja që unë thashë që ky proces duhet analizuar në kompleksitetin e vet, sepse kemi të bëjmë me një proces integral. Në rast se do të marrim në konsideratë vullnetin e partive politike për të ndryshuar sistemin, është një arritje e politikës shqiptare. Tek e fundit në demokraci, pikërisht në institucionin që është tempulli i debatit politik, në Parlament, merren vendime, të cilat përfaqësojnë vullnetin e popullit, që i ka sjellë ata deputetë në Parlament. Pavarësisht nëse kishte mendime të ndryshme, kishte gjykime të ndryshme, kishte kontestime, ky ligj u fut në zbatim, u ngrit një infrastrukturë, sigurisht që pati arritje edhe tek çështja e regjistrimit të popullsisë, tek pajisja me karta identiteti dhe unë vetë kam dhënë disa mesazhe. Pra, ishte çështja që njerëzit duhet të afroheshin për të aplikuar, sepse ishte në interes të tyre dhe në interes të një rezultati që do të kishte më shumë pjesëmarrës në votime. Dita e zgjedhjeve ishte një ditë, sikurse e thashë, për t’u vlerësuar. Problemet filluan tek numërimi. Tek numërimi dhe jo në përgjithësi, por në momente të veçanta, këtë e shprehën edhe ekspertët ndërkombëtarë, e unë nuk do të bëja gjë tjetër, vetëm do të rivlerësoja të njëjtin qëndrim që ata kanë, dhe unë mendoj se ende në Shqipëri ka nevojë që të punohet shumë nga klasa politike, por edhe nga ata që e përbëjnë infrastrukturën zgjedhore, sepse nuk mjafton vullneti politik në disa raste, pasi mund ta kesh vullnetin politik, mund të marrësh vendime shumë të guximshme politike, por pastaj është çështje implementimi. Mund të kesh dëshirë të implementosh, por je i paaftë të implementosh. Pra, në këtë këndvështrim unë mendoj që ka nevojë që të kualifikohen njerëzit që merren me monitorimin e procesit zgjedhor, me përllogaritjen e rezultatit të zgjedhjeve, sepse është një proces mjaft delikat. Edhe kur merret në konsideratë, vlerësimi për një arbitër në një ndeshje, ka shumë debate, ka kontestime, ka aprovim. Përfytyroni, analiza dhe kontrolli i një procesi që sjell pasoja pozitive apo negative, në funksion të vullnetit të forcave politike, apo të mbështetësve të tyre për marrjen e pushtetit, për konsolidimin e pushtetit, apo për rikthimin e pushtetit. Ky është një element mjaft i rëndësishëm, që të gjithë duhet ta kenë në konsideratë në të ardhmen.
Ju thatë që do ju pëlqente t’i referoheshit asaj çfarë kanë thënë vëzhguesit ndërkombëtarë. Ata kanë bërë atë që kanë bërë gati gjatë gjithë zgjedhjeve të fundit prej gati 12-13 viteve të fundit, që zgjedhjet ishin një hap përpara, por standardet nuk u realizuan tërësisht. A mendoni se kjo është e mjaftueshme për një vend që aspiron të hyjë në Bashkimin Evropian dhe që është tashmë vend anëtar i NATO-s, dhe ju thoni që tranzicioni nuk ka përfunduar dhe do të përfundojë kur të kemi zgjedhje të lira dhe të ndershme në Shqipëri, zgjedhje plotësisht të certifikuara. A mendoni se ka një handikap, sepse ne nuk mund të bëhemi plotësisht me standarde pa realizuar zgjedhjet?
Unë nuk besoj që të jetë ky momenti dominant, por është një ndër momentet e rëndësishme, kur t’i certifikohet për t’u futur në Bashkimin Evropian. Herë pas here, përfaqësuesit politikë të vendeve të Bashkimit Evropian, janë shprehur që zgjedhjet kanë një rëndësi vendimtare për pranimin e Shqipërisë në Bashkimin Evropian. Ky është një element, i cili besoj nuk ka nevojë për t’u shtjelluar më tej. Kjo është arsyeja që ne herë pas here kemi pasur vështirësitë tona drejt rrugës së integrimit. Unë mendoj që pas vlerësimit që kanë bërë monitorët, duhet thënë elementët pozitiv, por edhe ato që nuk u arritën, unë edhe një herë e përsëris se nuk kërkoj të rimarr rolin që kanë pasur vëzhguesit ndërkombëtarë, sepse kanë qenë vëzhgues të pranuar nga partitë politike, por jam i mendimit që vëzhguesit ndërkombëtarë, ata që delegohen nga vendet e Bashkimit Evropian, sigurisht që janë shumë të kujdesshëm kur shprehen, këto janë momente kur ata japin edhe inkurajimin për Shqipërinë dhe natyrisht, për një vend që ende ka probleme me demokracinë, askush nuk mund të thotë se demokracia është e përsosur në vendin tonë, ka një rritje të demokracisë, por mbetet  ende shumë për të bërë. Kjo është edhe arsyeja që monitorët ndërkombëtarë i japin dhe vlerësimet pozitive, për të të dhënë të kuptosh për hapat që do të bëhen në këtë drejtim. Pra, mbetet shumë për të bërë, sidomos për realizimin e zgjedhjeve përfundimisht të lira e të ndershme. Ky është një moment shumë i rëndësishëm për Shqipërinë. Përderisa ka kontestime, unë nuk mund të them që baza e kontestimit është motiv për të mos marrë pjesë në Parlament, kurrsesi. E kam thënë dhe vazhdoj ta them që vendi i politikanit të zgjedhur nga elektorati është në Parlament. Aty është mundësia për t’u shprehur për kontestimin, aty është mundësia për të bërë edhe objeksionet. Aty është mundësia për të debatuar, për të aprovuar ligje të rëndësishme, tek e fundit, përgjegjësia është ekskluzivisht e politikanit. Ata menduan të ndryshonin sistemin, ata vendosën që në KQZ të kenë projeksionin politik partiak, ata vendosën që komisionet zonale dhe komisionet e drejtpërdrejta në kutinë e votimit të jenë të projektuara në partitë politike, çka do të thotë që është tërësisht ekskluzivitet dhe përgjegjësi e partive politike, të cilat e zhvilluan dhe e numëruan procesin si të tillë. Pastaj, çështja e KQZ dhe e monitorëve, është pranuar nga partitë politike, është pranuar nga institucionet shqiptare dhe duhet marrë e tillë ashtu sikurse është bërë dhe është deklaruar nga ata.
Ngrica është tejkaluar në raportet tuaja me Partinë Demokratike?
Unë nuk mendoj të ketë ngrica, aq më shumë që ende jemi në muajin shtator dhe nuk ka ardhur sezoni i ngricave; ka kaluar një sezon ngricash, mund të ketë prapë sezon ngricash, ndoshta do të jetë një dimër i butë, por gjithsesi, në të katër stinët në Shqipëri jetohet shumë mirë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›