PS, Tahiri: Berisha ftesa ambulante, larg kushteve tona
Partia Socialiste nëpërmjet deputetit të saj, Sajmir Tahiri përsëriti kërkesën e saj për hapjen e kutive të votimit të zgjedhjeve të 28 qershorit, si një nga kushtet e për hyrjen në Parlament. “Ftesa ambulante e z. Berisha ndaj Partisë Socialiste për të hyrë në Parlament nuk është aspak serioze dhe për më tepër është ende shumë larg kërkesave legjitime, që Partia Socialiste dhe shumica dërrmuese e votuesve shqiptarë kërkojnë. Zhvillimi i këtyre zgjedhjeve nuk ishte dhuratë nga Kryeministri Berisha, të cilit nuk iu dashka as t’i kujtojmë se i zhvilloi me parregullsi të theksuara”, tha Tahiri. Sipas tij: “Zhvillimi i këtyre zgjedhjeve, ashtu si zhvillimi i çdo procesi zgjedhor, është paguar nga taksapaguesit. Kryeministri, Ministrat, Parlamenti, Maxhoranca dhe i gjithë sistemi, mbahet në këmbë falë taksave që paguajnë qytetarët. Mjafton edhe ky fakt, për ta konsideruar transparencën e këtyre zgjedhjeve një detyrim absolut ndaj punës së ndershme të shqiptarëve, që me plot të drejtë duhet të mësojnë të vërtetën për zgjedhjet që ata vetë i kanë paguar me kursimet e tyre”. Ai theksoi se: “Partia Socialiste i kërkon Kryeministrit Berisha të lexojë me realizëm Raportin e OSBE-ODIHR dhe të reflektojë ndaj kërkesave të Partisë Socialiste, duke shprehur vullnetin e plotë për të lejuar transparencën e parregullsive të konstatuara dhe nxjerrjen e përgjegjësive ligjore përkatëse. Këto janë kërkesa pa plotësimin e të cilave demokracia dhe shteti ligjor do mbeten thellësisht të cenuara në legjitimitetin e tyre”.