Katastrofë në Salvador, 120 të vdekur
Salvadori po përballet me një situatë katastrofike pas kalimit në të gjithë territoritn e tij të stuhisë tropikale Ida. 120 persona kanë humbur jetën si pasojë e përmbytjeve të mëdha në tre ditët e fundit. Stuhia e shoqëruar me erëra që arritën deri në 160 km në orë dhe shira të rrëmbyeshëm i ka bërë rrugët të pakalueshme dhe ka shkatërruar dhjetra ura. Rrëshqitjet e dherave dhe përmbytjet kanë marrë me vete banesa të tëra në vendin me reliev malor. Autoritetet kanë shpallur gjendjen e jashtëzakonshme ndërsa një pjesë e madhe e vendit ka mbetur pa energji elektrike e ujë të pastër dhe e izoluar e pa ndihma. Uragani Ida po forcohet dhe i është drejtuar Gjirit të Meksikës. Autoritetet druhen se ai do të shkaktojë dëme të mëdha edhe në këtë zonë.