Mashkull vs femër në Teatrin e Metropolit
Teatri i Metropolit në Tiranë do të shfaqë premierën e komedisë italiane me titull “E zonja e bujtinës”. Duke filluar nga data 14 nëntor, çdo të enjte, të premte, të shtunë dhe të diel, ora 20:00, kjo shfaqje do të interpretohet për publikun metropolitan. “E zonja e bujtinës” është komedia me moderne e reformatorit të teatrit italian Carlo Goldoni. Përballja e dy gjinive, e mashkullit dhe e femrës, e lashtë sa vetë jeta, është boshti qendror i konfliktit të kësaj vepre. Goldoni si mjeshtër i madhe i karaktereve, ka pikturuar Evën dhe Adamin me një kolorit shumë modern. Në një kohë kur femra ishte e dhunuar nga arroganca mashkullore, ai ngre lart figurën e Mirandoines, protagonistes kryesore të veprës, si një ftesë për emancipimin e një shoqërie tejet patriarkale. Komedia vjen nën regjinë e Ervin Çulit dhe nën interpretimin e aktorëve Eni Jani, Fatos Sela, Genci Fuga, Arben Spahia, Adelina Muça, Ermonela Alikaj Plasari dhe Genti Deçka. Skenografe është Herolinda Koçllari, ndërsa piktore Albana Rexha.