E Diel, 1 Nëntor 2026

KE, Shqipëria i ka plotësuar të gjitha detyrimet

27/04/2010 Vlerësimi, raporti i plotë

Blloku 1 – Siguria e dokumenteve. Komisioni vlerëson se janë plotësuar të gjitha kushtet lidhur me prodhimin e pasaportave biometrike (497 mijë pasaporta të lëshuara deri më 9 prill, sigurinë në procesin e aplikimit, personalizimit gjatë prodhimit dhe shpërndarjes. Personeli që merret me procesin e personalizimit është i trajnuar në mënyrën e duhur dhe është minimalizuar rreziku i korrupsionit apo mashtrimit në këtë proces. Lidhur me certifikatat, Regjistri Elektronik i Gjendjes Civile është burimi i vetëm i të dhënave të gjendjes civile dhe çdo qytetar ka një numër të përhershëm identiteti.

Blloku 2 – Migracioni ilegal, përfshirë ripranimin.

Vlerësimi i Komisionit është se Shqipëria ka bërë një progres domethënës në drejtim të sigurisë së kufijve, sistemit të azilit dhe migracionit. Në kuadër të menaxhimit të integruar të kufijve i gjithë legjislacioni i duhur është në fuqi dhe po zbatohet me korrektësi, si: ligji i kontrollit dhe mbikëqyrjes së kufijve, strategjia dhe plani i veprimit të menaxhimit të integruar të kufijve. Është forcuar bashkëpunimi mes agjencive që veprojnë në kufi, ndërsa në janar ka filluar nga puna Qendra Ndërinstitucionale Operacionale Detare. Ka vijuar përmirësimi i infrastrukturës në pikat e kalimit kufitar dhe pajisje të tjera moderne janë parashikuar të instalohen gjatë vitit 2010. Burimet njerëzore janë forcuar dhe trajnimi i tyre bëhet në bazë të kurrikulave të hartuara në bashkëpunim me FRONTEX (Agjencia Europiane e Sigurisë së Kufijve). Në fushën e azilit, Komisioni vlerëson se Shqipëria ka një sistem funksional dhe kuadri ligjor në këtë drejtim është forcuar në përputhje me standardet e BE-së. Për sa i përket migracionit, ka një zbatim të plotë të ligjit të të huajve (hyrë në fuqi në vitin 2009). Regjistri i të huajve është bërë funksional në shkurt 2010 dhe ka përfunduar qendra e të huajve me qëndrim të parregullt.

Blloku 3 – Rendi publik dhe siguria. Komisioni vlerëson se Shqipëria ka bërë progres thelbësor në përmbushjen e detyrimeve lidhur me luftën kundër krimit të organizuar, korrupsionit, pastrimit të parave si dhe në drejtim të bashkëpunimit ndërkombëtar në luftën kundër këtyre fenomeneve. Strategjitë përkatëse dhe planet e veprimit po zbatohen në të gjitha fushat e bllokut 3. Është evidentuar progres në njehsimin e kuadrit të brendshëm ligjor me standardet evropiane dhe ndërkombëtare. Ka përpjekje të vazhdueshme në luftën kundër trafikimit të drogës dhe të qenieve njerëzore. Ka progres në fuqizimin e kapaciteteve të zbatimit të ligjit në luftën kundër pastrimit të parave. Ka një numër në rritje të rasteve të hetuara dhe në ndjekje të krimit të organizuar. Shkëmbimi i informacionit ndërmjet agjencive të forcimit të ligjit ka përparuar në mënyrë domethënëse nëpërmjet shtrirjes së sistemit “MEMEX’ në të gjitha drejtoritë e policisë rajonale dhe drejtoritë e policisë kufitare. Bashkëpunimi në luftën kundër krimit financiar dhe korrupsionit është rritur ndjeshëm me punën e kryer nga njësitë e përbashkëta të hetimit në gjashtë rrethet e vendit. Bashkëpunim efektiv është regjistruar me autoritetet kombëtare dhe ndërkombëtare në fushat e bashkëpunimit juridik në çështjet penale dhe ka pasur investigime të suksesshme me agjencitë e huaja të forcimit të ligjit.

Blloku 4 – Marrëdhëniet me jashtë dhe të drejtat themelore. Në raportin e vlerësimit të Komisionit arrihet në përfundimin se Shqipëria ka bërë progres shumë të mirë dhe i ka përmbushur detyrimet në fushën e të drejtave themelore. Kështu, në shkurt 2010 është miratuar ligji kundër diskriminimit, ligj i cili parashikon krijimin e institucionit të Komisionerit për Mbrojtjen nga Diskriminimi. Komisioneri ka kompetenca të gjera, me anë të të cilave sigurohet asistenca për viktimat nga diskriminimi si dhe gjobat në rastet e shkeljes së ligjit. Lidhur me romët Komisioni vlerëson se është shënuar progres në drejtim të zbatimit të strategjisë kombëtare për përmirësimin e kushteve të jetesës së komunitetit rom dhe planit të veprimit të Dekadës së Romëve në fushën e arsimit, kulturës dhe punësimit. Janë krijuar kushte lehtësimi për regjistrimin në gjendjen civile të komunitetit rom.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›