E Shtunë, 31 Tetor 2026

Berisha inspekton punimet e Tiranë-Podgoricë



Kryeministri Sali Berisha inspektoi dje punimet për ndërtimin e linjës 400 kv të interkonjeksionit Tiranë-Podgoricë në Komunën e Koplikut të rrethit të Shkodrës. Berisha e cilësoi ndërtimin e kësaj linje si jashtëzakonisht të rëndësishme për garantimin e stabilizuar të furnizimit me energji elektrike dhe për lirinë e tregut. Duke i shprehur mirënjohjen më të thellë qeverisë gjermane dhe kancelares Merkel, Kryeministri Berisha përgëzoi Bankën Gjermane për Zhvillim (KfW) për këtë projekt të mrekullueshëm. Kryeministri Berisha vlerësoi se Shqipëria po bën të gjitha përpjekjet për t’u shndërruar në një vend jo vetëm furnizues konstant e i rregullt i konsumatorëve të saj, por edhe në një eksportues të rëndësishëm të energjisë në rajon dhe më gjerë. Kryeministri Berisha shprehu edhe njëherë mirënjohjen ndaj qeverisë gjermane dhe ambasadës gjermane në Tiranë për dhjetëra e dhjetëra projekte të mëdha, që shtrihen nga Saranda deri në Kukës, në të gjitha nevojat më themelore të qytetarëve shqiptarë, projekte të cilat janë zbatuar me përpikmëri dhe eficencë të madhe. Këto projekte, - vlerësoi Kryeministri, - kanë dhënë një kontribut të madh në ndryshimin për mirë të jetës së qytetarëve shqiptarë, për ndryshimin e Shqipërisë. Nga ana e tij, zëvendësambasadori gjerman në Tiranë, Jan Rudolph, vlerësoi se ky investim përbën një moment të jashtëzakonshëm të bashkëpunimit shqiptaro-gjerman. Ndërtimi i linjës 400 kv Tiranë-Podgoricë financohet nga Republika Federale e Gjermanisë nëpërmjet Bankës Gjermane për Zhvillim (KfW). Punimet filluan në tremujorin e fundit të vitit 2007 dhe përfshijnë ndërtimin e 155 km linjë të transmetimit Tiranë-Podgoricë dhe ndërtimin e nënstacioneve në Podgoricë dhe Elbasan.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›