KE: Thaçi i përfshirë në tregtinë e organeve
Një lajm shokues për Kosovën, është bërë publik së fundmi, menjëherë pas zgjedhjeve. Kryeministri Hashim Thaçi ka qenë kreu i një grupi mafiozësh shqiptarë që merrej me trafik armësh, droge dhe organe njerëzore në europën lindore.
Kështu bën me dije një raport i hartuar nga një komision hetimor i Këshillit të Europës për krimin e organizuar, që citon emrin e Thaçit 27 herë edhe në faqe të tjera të materialit. Raporti është publikuar në gazetën, "The Guardian" dhe tregon se bëhet fjalë për periudhën në fund të viteve 90.
Thaçi, asokohe kreu i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, UÇK, ka qenë i përfshirë ndër të tjera në trafikimin e organeve, në vrasje me porosi dhe krime të tjera. Organet janë marrë kryesisht nga të burgosurit serbë gjatë luftës së Kosovës thuhet më tej në këtë raport. Në raport thuhet se UÇK-ja ka mbajtur robër serbë në një fshat të thellë në veri të Shqipërisë, ku ata u vranë ndërsa organet e tyre janë shitur në tregun e zi.
Sipas raportit, vendet perëndimore i kanë ditur këto krime, por i kanë injoruar . Qeveria e Kosovës ka mohuar raportin e Këshillit të Evropës duke i quajtur ato shpifje dhe ka kërcënuar së do të ndërmarë hapa ligjorë. Qeveria e Republikës së Kosovës hodhi poshtë çdo pretendim për përfshirjen e ish drejtuesve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në rrëmbimin e civilëve për trafikim organesh. Sipas gazetës prestigjioze, ky është përfundimi i një raporti hartuar nga Dik Marti, përfaqësuesi i Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës, pas dy vjet hetimesh, ku citohet FBI dhe burime të tjera të shërbimeve sekrete.
Kryeministri i Kosovës identifikohet si “bosi” i një rrjeti që nisi aktivitetin në vitin 1999, që pati një ndikim të fuqishëm në qeverinë e vendit që prej asaj kohe. Pas publikimit fillestar në gazetën "The Guardian", edhe BBC shkruan se ndaj kryeministrit të Kosovës, Hashim Thaçi rëndojnë “akuza serioze” në raportin e Këshillit të Europës.
I njëjti burim shkruan se në raport paraqiten prova edhe për lidhje me krimin e organizuar edhe në ditët e sotme. Në reagimin e qeverisë së kosovës për këto publikime, thuhet se pretendimet e botuara në “The Guardian“ janë hetuar disa herë nga drejtësia vendore dhe ndërkombëtare, dhe në të gjitha rastet është konstatuar që deklarimet e tilla kanë qenë të pabazuara në fakte dhe të konstruktuara me qëllim të dëmtimit të imazhit të Kosovës dhe të luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe i ka cilësuar ato si shpifje.