Thaçi: Nuk bëj koalicion me "Vetëvendosjen"
Kryeministri i Kosovës Hashim Thaçi ka thënë se është i hapur të bëjë koalicion me secilën parti politike, përveç Lëvizjes "Vetëvendosje".
Në një intervistë për agjencinë e lajmeve "Reuter", Thaçi thekson se nuk do të bëjë koalicion me lëvizjen "Vetëvendosje" të Albin Kurtit.
“Unë do të zgjedh partnerët më të mirë që i përshtaten konceptit tim dhe vizionit për një Kosovë euro-atlantike. Unë jam për një rajon pa kufi në Evropën e bashkuar”, thekson Thaçi.
I pyetur se përse partitë e tjera dhe vëzhguesit e pavarur janë ankuar për parregullsi në dy bastionet e Thaçit, ku pjesëmarrja ka qenë më shumë se 90 për qind, shumë më tepër sesa 48 për qindëshi i mesatares kombëtare Thaçi theksoi se kjo ka qene politikisht e planifikuar për të tërhequr vëmendjen nga fitorja së thellë të PDK-së në 20 komuna.
Ai ka thënë se do të respektojë çdo vendim që vjen nga institucione, ndërkohë që KQZ-ja ende nuk ka vendosur nëse duhet të ketë përsëritje të zgjedhjeve të pjesshme.
I pyetur nëse pas zgjedhjeve pret hetime nga EULEX-i për korrupsion, ai ka thënë se nuk as informacione e as indikacione.
“Por, nën asnjë rrethanë njerëzit që janë të korruptuar do të jenë pjesë e qeverisë sime”, ka thënë Thaçi.