E Shtunë, 31 Tetor 2026

KE: Vendosja e vizave, vetëm për vendet që abuzojnë

KE ka vendosur të shtojë rregulloren e vizave, të cilat aktualisht nuk zbatohen për çdo shtet, nëpërmjet një mekanizmi protektiv për vendet anëtare të Unionit dhe zonën Shengen, nëse në të ardhmen ekziston rreziku për sigurinë e tyre, për shkak të fluksit të pakontrolluar të emigrantëve.Vendimi në mënyrë eksplicite citon: Vende ku qytetarët e tyre abuzojnë me liberalizimin e vizave. Drafti iu paraqit dje vendeve anëtare dhe pritet të miratohet në qershor. Deri tani për Shqipërinë nuk ka pasur asnjë raportim të tillë, por janë përmendur vetëm Maqedonia dhe Serbia. Megjithatë, pas shqetësimit të autoriteteve maqedonase, komisionerja, Sesilia Malstrom tha se KE-ja nuk do të rivendosë regjimin e vizave vetëm për Maqedoninë. Ky vendim vlen për Serbinë dhe vende të tjera të Ballkanit Perëndimor.
Këshilli i Ministrave të Unionit, më 9 dhe 10 qershor në Luksemburg, pritet të miratojë propozimin e KE-së. Me propozimin e ri, i cili duhet të aprovohet nga secili vend i BE-së, Komisioni do të jetë në gjendje të pezullojë shumë shpejt udhëtimin pa viza pas kërkesës së vetëm njërit prej vendeve anëtare. Komisioni Europian tha se rregullat e reja do të lejojnë qeveritë anëtarë të BE-së që të vendosin shpejt vizat në rast të një fluksi të madh të emigrantëve ilegalë apo rritjes së papritur të kërkesave të pabaza për azil nga një vend i tretë. Sipas agjencisë Reuters, me ligjet aktuale mund të duhen deri në dy vjet për të ndryshuar rregullat e vizave. Ndryshime të propozimit duhet të aprovohen nga Parlamentet e secilit vend dhe më pas nga Parlamenti Europian. Disa vende anëtare, sidomos Franca, po nxisin ndërtimin e një mekanizmi për të rivendosur kontrollet kufitare në disa rrethana. Komisioni ka vendosur një sërë masash që kanë të bëjnë me menaxhimin e fluksit të migracionit nga Afrika e veriut, pas trazirave në këtë rajon. Brukseli ka shprehur dëshirën për të hapur dialogun për migrimin, lëvizjen dhe sigurinë në shkallë të gjerë me Tunizinë, Marokun dhe Egjiptin, duke përfshirë edhe më shumë mundësi për qytetarët e tyre për të mbërritur në mënyrë të ligjshme në Europë, në këmbim të ndihmës prej këtyre vendeve në luftën kundër migrimit ilegal. Disa analistë të BE-së janë shprehur se rregullat e reja po vendosen vetëm për shkak të situatës në Afrikën e Veriut, nga e cila në BE, kanë mbërritur dhjetëra mijëra emigrantë, por Ballkani u përdor meqë vetë fjala ka një hije negative nëpër Europë.

Masat

Serbia dhe Maqedonia, dy vendet e paralajmëruara nga KEja për vendosjen e regjimit të vizave për shkak të kërkesave për azil nga qytetarët e tyre, kanë marrë masa, të cilat deri tani kanë funksionuar disi. Nga Serbia, prej ku ka pasur 17 mijë kërkesa për azil brenda një viti, sipas ministrit të Brendshëm, Ivica Daçiç, fluksi që nga dhjetori deri tani ka rënë me 35 për qind.

Pezullimi, në rrethana strikte

Sesilia Malmstrom, komisionerja e BE-së për çështjet e brendshme, tha se propozimi do të shtojë dhe jo pakësojë heqjen e vizave. Sipas saj, kjo masë do të ndihmojë në rritjen e besimit të vendeve anëtare, të cilat do të vendosin të japin më shumë liri kalimi në të ardhmen. Ajo theksoi për Financial Times, se pezullimi do të ndodhë vetëm në raste përjashtuese dhe në rrethana shumë strikte.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›