E Shtunë, 31 Tetor 2026

Vullkani në Islandë, anulohen 500 fluturime

Mijëra pasagjerë kanë mbetur të bllokuar në aeroporte dje në mëngjes në Skoci dhe vende të tjera europiane, për shkak të bllokimit të hapësirës ajrore nga hiri i vullkanit në Islandë. Hiri tashmë ka përfshirë një pjesë të qiellit të Britanisë së Madhe. Vullkani islandez Grimsvoetn ka detyruar në Europë anulimin e të paktën 500 fluturimeve. Megjithatë, Komisioni i BE-së nuk parashikon mbylljen e hapësirës ajrore europiane, edhe pse parashikon një javë të vështirë për pasagjerët dhe linjat ajrore. Komisioneri i BE-së për transportet, Siim Kallas, tha se varemi shumë nga klima dhe moti. Në Skoci pezullimi i fluturimeve ka nisur që në orën 8 të mëngjesit. Aeroportet e Glasgout dhe Edimburgut kanë mbetur të mbyllura, si aeroportet e vogla të Aberdenit dhe Invernesit. Probleme ka pasur edhe në aeroportet e Irlandës së Veriut. Ka pasur vonesa edhe në Danimarkë, ndërsa në  Norvegjinë Perëndimore janë mbyllur aeroportet e Stavangerit dhe Karmoejit. Në mbrëmje pritej të kishte probleme edhe në Suedi. Islanda vetë, të hënën në mbrëmje e ka rihapur hapësirën ajrore, për shkak se aktiviteti i Grimsvoetnit është ulur. Që pas orës 00:00, edhe Gjermania kishte parashikuar mbylljen e aeroporteve të Hamburgut, Bremes dhe Berlinit. Sipas parashikimeve, vullkani islandez Grimsvoetn mund të krijojë kaos të mërkurën dhe të enjten në trafikuan ajror të Britanisë, Francës dhe Holandës. Të enjten hiri do të jetë mbi Poloni, Republikën Çeke, Ukrainën e Bjellorusinë etj.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›