KE: Zgjidhja, në dorë të Berishës e Ramës
Zëdhënësja e komisionerit për Zgjerimin, Stefan Fyle, Angela Filote, deklaroi dje se tani gjithçka mbetet në duart e politikanëve shqiptarë, konkretisht Kryeministrit Berisha dhe kreut të PS, Rama. “Të gjithë ne dëshironim shumë dhe e mbështetëm iniciativën dhe na vjen shumë keq që të gjitha përpjekjet e bëra për të ndihmuar në gjetjen e zgjidhjes nuk sollën në të vërtetë këtë zgjidhje. Tani topi kthehet plotësisht në duart e Shqipërisë dhe sidomos të dy liderëve, të Qeverisë dhe opozitës, për të cilët është shumë e rëndësishme që të punojnë bashkë, madje më shumë se deri tani, që të gjejnë një zgjidhje”, ka deklaruar Filote. Sipas saj, arritja e një marrëveshjeje mes palëve do të ishte në të mirën e qytetarëve shqiptarë dhe aspiratës së tyre europiane dhe jo në të mirë të BE-së. “Dhe dua të bëj të qartë diçka, kjo zgjidhje nuk duhet për të mirën e BE-së, por nevojitet për të mirën e qytetarëve të Shqipërisë, të cilët kanë këtë aspiratën për të qenë një ditë qytetarë europianë, por që të ndodhë kjo ne duam të shohim në Shqipëri një demokraci të pjekur”, ka pohuar Filote.