Berisha: Edhe 35 vjet Kryeministër
Erald Kapri
Maxhoranca dhe opozita rikthehen në pikën zero. Rreth 10 muaj pas nisjes së bojkotit të opozitës ndaj Kuvendit, Partia Demokratike dhe ajo Socialiste mbeten larg kompromisit dhe një gjë të tillë e demonstruan dje në Kuvend. Kryeministri Sali Berisha dhe Kryetari i Grupit Parlamentar të PS-së Gramoz Ruçi, debatuan ashpër në Kuvend, ku nuk munguan as akuzat e rënda mes palëve. Kjo ndarje vjen një ditë pas deklaratës së bërë nga krerët e grupeve parlamentare në Parlamentin Europian, Daul dhe Schulz, të cilët kërkuan që të dy partitë t’i japin fund ndarjeve.
Në seancën e djeshme parlamentare, Berisha e Ruçi debatuan për ngërçin politik, duke mos kursyer as akuzat mes palëve. Kryeministri Berisha e cilësoi bojkotin e opozitës si tentativë për të mos marrë pjesë në zgjedhjet lokale, si dhe bllokim për liberalizimin e vizave. “Kur është shtruar kërkesa që binte ndesh me vendimin e gjykatës, kam pasur bindjen më absolute se ka vetëm një qëllim, të mos merret pjesë në zgjedhjet lokale”, tha Berisha. Nga ana e tij, Ruçi tha se Berisha nuk pranoi kompromisin në Bruksel. Ai tha se “duhet të keni burrërinë t’ju thoni ndërkombëtarëve dhe shqiptarëve që përfaqësuesi i Ramës i ka thënë “ok” marrëveshjes”. Njëkohësisht, Ruçi garantoi se opozita nuk do të largohet më nga Kuvendi. “Ne jemi këtu në Parlament, do të jemi këtu në Parlament. Jo për të qenë garnitura e pushtetit tuaj z. Berisha, por për të qenë opozita dhe për të shpalosur gjithë përgjegjësitë tona politike, institucionale, për integrimin e vendit, për liberalizimin e vizave”, tha Ruçi.
Por debati për situatën politike, nuk ishte i vetmi mes Berishës e Ruçit në Kuvend. Të dy politikanët kanë debatuar edhe për situatën ekonomike, procesin e liberalizimit të vizave, ndryshimin e rregullores për dekretet e Presidentit, si dhe me temat e fundit politike të ditës. Duke folur për kreun e opozitës Edi Rama, Kryeministri Sali Berisha tha se ai po vepron në të njëjtën situatë si dy ish-politikanët, Fan Noli e Ahmet Zogu. “Ky tani gjeti ngushëllimin e tij, duke e krahasuar veten me Nolin. Atëherë po të krahasoni veten me Nolin, shihni se ku e zgjidh ekzilin, se ai do rrijë këtu. Ishte filani iku, ishte ky iku, dhe Berisha mbeti. Po përse mbeti Berisha? Një nga meritat kryesore, janë tuajat”, tha Berisha, duke shtuar se “kalibrojuni se po vazhduat kështu, atëherë më duhet t’u them se në rast se vjet deklarova se do të jem për 35 vjet në këtë sallë, dhe nuk kisha ndërmend 35 vjet Kryeministër, por po vazhduat kështu, edhe për 35 vjet përgatituni të më shini në atë kalin, se unë nuk kam përse t’i zbres”. Berisha tha më tej, “edhe kundërshtarin tim të parafundit, keni vetinë për të ma bërë sekretar të përgjithshëm partie”, duke iu referuar ish liderit socialist Fatos Fano, pas publikimit të lajmit në gazetën “Panorama” se Nano kishte kryer kontakt për nënshkrimin e një kontrate mes PD-së e një kompania amerikane në marrëdhëniet publike për fushatë. Nga ana e tij, kreu socialist në Kuvend Gramoz Ruçi u përgjigj duke thënë se “Zoti jua shtoftë jetën biologjike, por jetën politike nuk e keni në dorë ju. Fundi do të jetë fundi i një sundimtari, jo fundi i një pushtetari”.
Debati Berisha-Ruçi
Sali Berisha: Tradita pozitive ka një histori në këtë Parlament, arkivi i zi i tij nuk mund të mohohet kurrë. Jam njëri prej atyre që jam akuzuar 8 vjet para Sllobodan Milloshevicit për krimet kundër njerëzimit. Por ajo i përket arkivës së zezë dhe nuk duhet të merremi me të. Ne merremi me atë arkiv që kemi bërë gjithë ato reforma, ligje, kode dhe unë besoj se kjo ka qenë dhe është tradita që duhet të ndjekim sot.
Gramoz Ruçi: Kur zoti Berisha erdhi në sallën e Parlamentit dhe kur ai kërkoi të merrte fjalën, edhe njëherë sinqerisht prita se Kryeministri i vendit kishte qëndruar pa gjumë dhe kishte ardhur për t’i dhënë një sihariq Parlamentit shqiptar, opinionit publik qytetar dhe partnerëve tanë ndërkombëtarë. Dhe sihariqi do të ishte që klasa politike shqiptare, e ka maturinë që të zgjidhë krizën politike.
Sali Berisha: Zotërinj deputetë, prej shtatë vitesh në këtë Parlament vjen dhe zhduket një ligj, ai për heqjen e imunitetit të deputetëve dhe imuniteteve në Shqipëri. E kuptoj se fill pas dorëzimit të pushtetit kishit makthet dhe ankthet tuaja për të votuar atë ligj, por sot çfarë ju pengon? Se është shumë normale të kritikoni për korrupsion dhe ju them unë se ka korrupsion, ju garantoj se çdo ditë përballemi me të, por është normale që ju si opozitë të propozoni masat radikale të kësaj lufte kundër tij.
Gramoz Ruçi: Juve duhet të jeni transparent dhe duhet të keni burrërinë të thoni, që pas takimit tuaj me Ramën në Strasburg, janë zhvilluar dy takime të tjera me të dërguarit tuaj, tëndit dhe të Ramës në Bruksel. Dhe ju duhet të keni burrërinë t’ju thoni ndërkombëtarëve dhe shqiptarëve që përfaqësuesi i Ramës i ka thënë “ok” marrëveshjes. Ju duhet të keni burrërinë që t’i thoni Parlamentit shqiptar, shqiptarëve dhe ndërkombëtarëve, që përfaqësuesi juaj, edhe me gjithë ndryshimet që bëri përfaqësuesi opozitës, i tha jo, stop, marrëveshjes. Ja pse dy kryetarët bënë këtë deklaratë dje, se pikërisht pardje ndodhi kjo ngjarje. Prandaj boll me demagogji, boll me mashtrime.
Sali Berisha: Zotërinj, unë dua t’ju them një gjë këtu, se me disa prej jush kemi nisur pothuajse në një kohë karrierën politike, që në momentin kur është shtruar kërkesa që binte ndesh me vendimin e gjykatës, kam pasur bindjen më absolute se ka vetëm një qëllim, të mos merret pjesë në zgjedhjet lokale. Se ka vetëm një qëllim për të dëmtuar procesin e integrimit. Si mund të më kërkosh të ngrihem kundër vendimit të gjykatës? Të nderuar deputetë, po bëhet një vit që në të gjitha sheshet, rrugët, ekranet e vendit, keni lakuar qindra miliona herë fjalën kuti. Absolutisht është shërbimi më i madh që i bëni Qeverisë dhe shërbim që nuk e dua.
Gramoz Ruçi: Ne jemi këtu në Parlament, do të jemi këtu në Parlament. Jo për të qenë garnitura e pushtetit tuaj z. Berisha, por për të qenë opozita dhe për të shpalosur gjithë përgjegjësitë tona politike, institucionale, për integrimin e vendit, për liberalizimin e vizave dhe mbi të gjitha për të qenë një barrikadë e gjithë poshtërsive tuaja, që nga kriminaliteti, që nga ekonomia, që nga korrupsioni.
Sali Berisha: Ishte kryetari juaj kur merrte të vetmin aspekt tragjik të Nolit. Krahasonte veten me Nolin dhe mua me Ahmet Zogun, nuk shkon kjo se në fund të fundit në rafshin administrativ dhe në atë politik, Noli u largua dhe u shndërrua në një rrogëtar të tij më vonë. Por Noli nga kjo nuk dëmtohet sepse mbetet gjeniu i letrave shqipe. Ky tani gjeti ngushëllimin e tij, duke e krahasuar veten me Nolin. Atëherë po të krahasoni veten me Nolin, shihni se ku e zgjidh ekzilin, se ai do rrijë këtu. Ishte filani iku, ishte ky iku dhe Berisha mbeti. Po përse mbeti Berisha? Një nga meritat kryesore, janë tuajat. Sepse ju edhe kundërshtarin tim të parafundit, keni vetinë për të ma bërë sekretar të përgjithshëm partie. Kalibrojuni se po vazhduat kështu, atëherë më duhet t’u them se në rast se vjet deklarova se do të jem për 35 vjet në këtë sallë, dhe nuk kisha ndërmend 35 vjet Kryeministër, por po vazhduat kështu, edhe për 35 vjet përgatituni të më shini në atë kalin, se unë nuk kam përse t’i zbres.
Gramoz Ruçi: Zoti jua shtoftë jetën biologjike, por jetën politike nuk e keni në dorë ju. Fundi do të jetë fundi i një sundimtari, jo fundi i një pushtetari. Dhe ne këtu jemi kundër sundimtarit, jo kundër pushtetarit. Nuk kërkojmë mandate në tavolinë.
Sali Berisha: Kushtetuta e Shteteve të Bashkuara të Amerikës i njeh tërësisht Presidentit të SHBA-ve të drejtën e dekretimit të gjykatësve. Në Kushtetuta të tjera lidhur me çështjen e votimit, në Republikat jo Presidenciale, ka një ndarje të propozimeve midis Parlamentit, Presidentit, Ekzekutivit, trupës Gjyqësore. Modeli ishte alla shqiptar dhe kështu nuk mund të bëhej.
Gramoz Ruçi: Zoti Berisha, kur ke qenë në opozitë ke trumbetuar me të madhe, që edhe ministrat të votohen me votim të fshehtë. E keni kërkuar ju, këtu. Kjo sallë është më e vjetër se ju dhe se unë. Në këtë sallë janë bërë 50 vjet votime të hapura dhe kemi 20 vjet që shyqyr që arritëm kësaj dite të bëjmë votime të fshehta. Ju po na ktheni në traditën e kësaj salle, kur s’kanë ndryshuar këto tavolina, ky pod, ato tavolina dhe ato karrige. Kjo qenka ajo që ju predikoni me të madhe, që do të rrini edhe 35 vjet në atë karrige.