PD-PS, si dështuan negociatat në Bruksel
Aristir Lumezi
Takimi i së hënës në Bruksel mes ekspertëve të PD dhe PS nuk solli asgjë të re për zgjidhjen e krizës.Deputeti socialist Arben Ahmetaj dhe shefi i kabinetit të Kryeministrit, juristi Oerd Bylykbashi, u thirrën sërish në Bruksel për të arritur në një zgjidhje përfundimtare, nisur dhe nga qëndrimet e mëparshme të palëve. Por edhe këto negociata në nivel ekspertësh nuk sollën zgjidhjen e pritur prej muajsh, duke i lënë palët në pozicionet e tyre të mëparshme, ndërsa kjo zvarritje ka detyruar krerët e grupeve parlamentare të Parlamentit Europian të shprehin dëshpërimin e tyre për dështimin e negociatave. Edhe pse negociatat janë mbajtur në sekret të plotë si nga PS ashtu, edhe nga PD, pas dështimit të tyre dalin në dritë versionet e tyre në mënyrë që palët të tregohen sa më të gatshme për të arritur në një zgjidhje të krizës. Burime nga Partia Socialiste pohuan dje se takimi i së hënës ishte shumë pranë arritjes së zgjidhjes, pasi edhe PS ishte ulur në kushtet e vendosura nga europianët dhe Këshilli i Europës. Sipas tyre, PS ishte dakord që komisioni të niste punën me hapjen e kutive të materialeve zgjedhore në komisionin parlamentar, ndërsa Gjykatës Kushtetuese t’i dërgohej një kërkesë për interpretim për fletët e votimit, e cila nga ana e saj do të kërkonte një opinion nga Komisioni i Venecias i Këshillit të Europës. Por socialistët pohojnë se përfaqësuesi i PD-së nuk e ka pranuar këtë zgjidhje, por kërkoi zbatimin e nenit 178 të Kodit Zgjedhor, për djegien e fletëve të votimit pasi materialet zgjedhore të jenë dërguar në Arkivin e Shtetit. Ndërsa burime nga PD pohuan dje se transparenca e zgjedhjeve nuk mund të bëhet duke shkelur ligjin elektoral të miratuar me konsensusin më të madh të arritur ndonjëherë në Parlamentin shqiptar. Sipas demo-kratëve, fletët e votimit duhen asgjësuar sipas nenit 178 të Kodit Zgjedhor, sapo materialet zgjedhore të dërgohen në Arkivin e Shtetit, duke ia lënë këto kompetenca Komisionit Qendror të Zgjedhjeve. Kthimi pas në Shqipëri i dy përfaqësuesve të dy partive kryesore në vend pa arritur asnjë zgjidhje, dëshpëroi përfaqësuesit e dy grupeve më të mëdha të eurodeputetëve në PE, Joseph Daul nga të djathtët dhe Martin Schulz nga të majtët.
Dy politikanët europianë, të cilët morën iniciativën për të ulur në një tryezë Berishën e Ramën në Strasburg, u shprehën pas këtij zhvillimi se janë të indinjuar që PD e PS nuk kanë gjetur zgjidhjen. Në një deklaratë të përbashkët, kryetari i grupit parlamentar të Partive Popullore Europiane, Joseph Daul dhe presidenti i socialdemokratëve në PE, Martin Schulz, shprehën dy ditë më parë keqardhjen e tyre që Qeveria dhe opozita nuk mundën të sheshojnë mosmarrëveshjet mes tyre. “Ne sinqerisht shprehim keqardhjen që Qeveria shqiptare dhe opozita nuk mundën të kapërcejnë mosmarrëveshjet e tyre dhe për këtë arsye nuk kanë qenë në gjendje të ndërmarrin hapa të mëtejshme të nevojshme për të shkuar drejt përmbushjes së ambicies europiane të vendit”, thuhet në deklaratën e dy politikanëve të njohur europianë.