E Diel, 1 Nëntor 2026

Rama: Berisha nuk e pranoi zgjidhjen, kambanat bien për të



Kreu i PS, Edi Rama ka reaguar në lidhje me deklaratat e fundit të PE, që u bëjnë thirrje palëve politike të zgjidhin sa më parë krizën, me qëllim mospengimin e procesit të liberalizimit të vizave. Kryesocialisti shpreh keqardhje që i vetmi njeri që nuk pranoi të negociojë për krizën është Kryeministri Berisha. Sipas Ramës, kambanat e fundit të PE-së bien pikërisht për të. “Zgjidhja përmes kompromisit është e mundshme, i vetmi njeri që nuk e pranoi zgjidhjen e mundshme përmes transparencës ishte Sali Berisha. Kambanat e Parlamentit Europian bien për të. I falënderoj miqtë dhe partnerët tanë për ndihmën e derikëtushme, të cilët shprehin keqardhje për të mbajtur mbyllur kutitë ku fshihen manipulimet e votave. Sali Berisha është gati t’i mbajë mbyllur në kurriz të liberalizimit të vizave”, deklaroi kreu i PS. Në deklaratën e tij kreu i selisë rozë bëri me dije se PS nuk tërhiqet nga kërkesat e saj për transparencën e zgjedhjeve. “Ne nuk ndalemi në betejën tonë për transparencë. Opozita nuk i negocion të drejtat e saj, nuk e braktis kauzën e saj. Opozita do të vazhdojë përpara me dinjitetin e një opozite që nuk e negocion lirinë e saj, nuk i fal e as i shet të drejtat e saj, nuk e braktis për asnjë arsye e çmim një kauzë, për të cilën ka dëshmuar se është e gatshme të sakrifikojë shumëçka dhe të mos kursejë asgjë”, u shpreh Rama.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›