E Diel, 1 Nëntor 2026

Koha për adresimin nëpër botë të të burgosurve të Guantanamos - edhe Shqipëria në listën e vendeve pritëse

Presidenti Obama kërkoi nga qeveria federale e Illinoisit të marrë në burgun kryesor të shtetit "një numër të kufizuar të burgosurish", që mbahen aktualisht në qelitë e burgut në Gjirin e Guantanamos. Nga Europa deri më tash vetëm Shqipëria, Danimarka, Holanda, Gjermania, Polonia dhe Bullgaria, kanë pranuar kërkesën e Uashingtonit për të pranuar të burgosurit e Guantanamos
 
“Presidenti Obama bëhet e ditur se i ka dhënë urdhër qeverisë federale në Illinois, shtet ky, ku Presidenti Obama ka edhe shtëpinë - për të pranuar në burgun më të madh të saj "Thomson Correctional Center",  rreth 150 milje në perëndim të Çikagos, "një numër të kufizuar të burgosurish", të mbajtur aktualisht në qelitë e burgut për terroristët në Gjirin e Guantanamos, tha një zyrtar i lartë i administratës amerikane, pa dashur të identifikohet”, shkruanin të martën disa të përditshme njujorkeze. Shtëpia e Bardhë, tha i njëjti burim, për të përditshmen e Nju Jorkut, “Daily News”, është e vendosur të shpallë publikisht vendimin e Obamës, "se ai i ka dhënë urdhër qeverisë federale në Illinoi, - për të marrë në burgun më të madh të saj "Thomson Correctional Center", "një numër të kufizuar të burgosurish". I njëjti zyrtar ka konfirmuar, se një numër i papërcaktuar të burgosurish, do të shpërndahet edhe në shtetet e tjera të federatës amerikane, por edhe në disa shtete të Europës. Meqenëse Guantanamo do të mbyllet vitin e ardhshëm, Çikagoja - qyteti ekonomikisht i "sëmurë" dhe i "prekur" nga kriza ekonomike - i ka kërkuar Uashingtonit të shfrytëzojë qelitë e veta bosh, në burgun më të madh të saj, në "Thomson Correctional Center", rreth 150 milje në perëndim të qendrës së qytetit, i ndërtuar si një institucion i sigurisë maksimale. Aktualisht, thonë autoritetet e këtij burgu, vetëm 200 nga 1600 shtretër janë të zënë në godinën që ka kushtuar 140 milionë dollarë dhe që u inaugurua në vitin 2001. "Mbyllja e qendrës e burgimit të terroristëve në Gjirin Guantanamo në Kubë, pjesë e territorit të SHBA-së, është thelbësor për të mbrojtur sigurinë tonë kombëtare nga duart e Al Kaedës", tha zyrtari nga Uashingtoni për gazetën e Nju Jorkut, Daily News.
Pas takimit që të enjten me 2 Dhjetor 2009 pati në Tiranë me ndihmës-sekretarin shtetëror amerikan për Çështjet e Euroasisë, diplomatin amerikan Daniel Fried, kryeministri shqiptar Sali Berisha, deklaroi se Tirana është pajtuar në parim që të pranojë një numër të caktuar të burgosurish nga burgu i Guantanamos, ndonëse ka refuzuar që kësaj radhe në mesin e tyre të ketë të burgosur ujgurë (nga provinca e Turkistanit kinez (Xiangjiang). “Refuzuam të pranojmë të burgosur ujgurë, meqenëse për ne janë shumë të rëndësishme marrëdhëniet me Kinën”, thuhet të ketë deklaruar pas këtij takimi shefi i ekzekutivit shqiptar.
Deri më tash, megjithëse dihet numri i të burgosurve të cilët do të dërgohen nga Guantanamo, në Danimarkë, Holandë, Gjermani, Poloni e Bullgari, nuk janë dhënë detaje për numrin e të burgosurve të Guantanamos që do të pranojë Shqipëria.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›