E Shtunë, 31 Tetor 2026

Meta: Plotësuam kushtet për vizat, për procedurat vendos KE



Zëvendëskryeministri, njëherësh Ministri i Jashtëm, Ilir Meta reagoi dje për procesin e liberalizimit të vizave, pas lajmeve se mund të ketë shtyrje të këtij procesi. Meta deklaroi se nuk ka asnjë raport zyrtar që thotë të kundërtën, ndërsa garantoi se brenda këtij viti, në përputhje me të gjitha procedurat do të realizohet procesi i liberalizimit të vizave. “Dua të siguroj se në çdo rast, vlerësimi për Shqipërinë do të jetë një vlerësim shumë pozitiv për shkak të progresit të jashtëzakonshëm që Shqipëria ka bërë për plotësimin e detyrimeve”, tha Meta. I pyetur nga mediat, nëse do të liberalizohen vizat brena këtij viti, Meta tha se proceset teknike po realizohen. Ai tha se për procedurat vendosin institucionet e BE-së, por shtoi se procesi po ecën normalisht sipas parashikimeve. “Lidhur me të gjitha kriteret teknike, absolutisht unë jam i bindur se suksesi do të jetë i padiskutueshëm dhe i evidentuar shumë qartë. Por këto që më pyetët nuk kanë ndonjë lidhje të rëndësishme. Për procedurat, ai që vendos është Komisioni Evropian. Kemi të bëjmë me Parlamentin Evropian, kemi të bëjmë me Këshillin me vendet anëtare dhe sigurisht që gjithë procesi jam i bindur që do të ecë në mënyrë shumë normale dhe shumë pozitive”, shtoi Ministri i Jashtëm. Sipas numrit dy të Qeverisë, kemi të bëjmë me një proces të vazhdueshëm, që ka të bëjë me reforma që do të vijojnë, si lufta kundër krimit dhe korrupsionit.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›