E Diel, 1 Nëntor 2026

KE gati të hartojë raportin për heqjen e vizave me Shqipërinë

Ministrat e BE garantojnë ministrin Basha për liberalizimin e vizave për qytetarët shqiptarë brenda pranverës së këtij viti


Komisioni Evropian është i gatshëm që të hartojë raportin për liberalizimin e vizave me Shqipërinë dhe Bosnjen, sa më shpejt. Parlamenti Evropian është duke nxitur fort në këtë drejtim, në mënyrë që KE të prezantojë këtë raport në prill, gjë që do të bënte të mundur liberalizimin e vizave brenda korrikut. Ndërkohë ministri i Brendshëm shqiptar, Lulzim Basha është takuar me disa ministria të Brendshëm të Bashkimit Evropian, ku edhe ka marrë mbështetjen e tyre për liberalizimin e vizave me Shqipërinë. “Ky është qëllimi im që të prezantoj liberalizimin e vizave për Shqipërinë dhe Bosnjen. Ne po presim raportin e ekspertëve që do të vijë këtë pranverë dhe deri sa këto raporte të vijnë nuk mund të paragjykoj se çfarë progresi është bërë në Shqipëri dhe Bosnje-Hercegovinë. Por, qëllimi im është dhe mbetet të prezantoj, këto raporte. Megjithatë, është ende herët për të dhënë një afat. Nëse ne do të kemi propozimin e Komisionit Evropian në prill mbi një vlerësim pozitiv të situatës, atëherë Parlamenti Evropian do të bëjë çmos që ta mbarojë përpara verës”, u shpreh eurodeputetja sllovene, Tanja Fajon. Nga ana e tij, ministri i Brendshëm Lulzim Basha, u shpreh se kolegë të tij të Parlamentit Evropian kanë vlerësuar progresin e shënuar nga Shqipëria në pajisjen e shtetasve me dokumentet e reja të identitetit të cilat janë të sigurisë më të lartë, sigurisë së kufijve dhe luftës ndaj fenomeneve të krimit dhe trafikut. “Shqipëria ka përmbushur tre nga blloqet kryesore të liberalizimit të vizave. Ministrat e BE janë shprehur në mënyrë unanime mbi progresin e vendit në këto tre fusha, të cilat konsiderohen të shpejta, të qëndrueshme dhe të mjaftueshme në raport me kriteret e udhërrëfyesit për liberalizimin e vizave”, tha ministri Basha. Ministri Basha vuri në dukje se do ketë një vlerësim të shpejtë porsa i përket sigurisë së dokumenteve dhe po ashtu edhe për bllokun e tretë të kritereve të udhërrëfyesit që ka të bëjë me luftën kundër krimit dhe trafikut. “Janë të dukshme, nuk është nevoja të jemi ekspertë, Shqipëria po një rrugë progresiste dhe që është inkurajuese. Janë disa vështirësi që duhen kapërcyer. Unë dëgjova ministrin Basha dhe pash që ai ishte i vendosur për të ndjekur rrugën që i është propozuar nga Bashkimi Evropian”, deklaroi Eric Besson, ministri francez i Migracionit.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›