“Nuk pyes për punën e parlamentit, nëse nuk merren në shqyrtim draftet e PS”

Edi Rama vazhdon ecjen në rrugën pa krye
Edvin Kristaq Rama shpërfill edhe Kuvendin e Shqipërisë, nëse mazhoranca nuk u jep hapësirë kërkesave antiligjore të depozituara nga Gramoz Ruçi, dy ditë më parë.
Pas ironizimit të bërë ndaj institucioneve ndërkombëtare, veçanërisht Këshillit të Evropës dhe Komisionit të Venecias, kryesocialisti në detyrë Edvin Kristaq Rama, shpërfilli një tjetër institucion të rëndësishëm, por këtë herë brenda vendit, në Shqipëri.
Ai pranoi mbrëmë publikisht se nuk është i interesuar për punimet e Kuvendit të Shqipërisë dhe se s’ka ndërmend të lejojë deputetët e PS të shkojnë në parlament, pasi atje nuk mund të bëjë kurrsesi fasadën, për proceset e reformave që duhen miratuar, porsa kohë nuk i merren në shqyrtim kërkesat e depozituara, pavarësisht nëse janë apo jo të ligjshme ato.
Gjatë emisionit “Ora e Debatit”, Edvini u shpreh se kauza e opozitës është e patjetërsueshme, pasi siç tha ai, ka fakte dhe argumente të forta që zgjedhjet e 28 qershorit janë vjedhur. Ndërhyrja e moderatorit të emisionit se pse, PS asnjëherë nuk ka bërë publik qoftë edhe një fakt të vetëm për zgjedhjet parlamentare, Edvini siç edhe ka bërë rëndom gjatë ditëve të fundit, përdori si referencë çështjen e kutisë së Ruzhdies, e pretenduar nga mazhoranca për humbjen e një mandati, duke thënë se transparenca për hapjen e kutive mund të fillojë nga aty.
“Ne i kemi dhënë ofertë pushtetit dhe një mundësi komunitetit ndërkombëtar, pa pengesën e bojkotit. Bojkoti ishte një pengesë për të parë thelbin, ndërkohë që e vetmja mundësi për të tërhequr vëmendjen drejt thelbit ishte po bojkoti. Sot, nuk mund të thotë askush që opozita të shkojnë në parlament dhe të trajtojë krizën, sot palët duhet të trajtojnë krizën, por jo palët, pushteti dhe vetëm pushteti. Ne nuk do të shkojmë në parlament për të bërë punën e tij, thjesht për fasadë, nëse nuk bëhet transparenca e zgjedhjeve. Nuk do ketë jetë parlamentare të opozitës në atë parlament nëse nuk miratohen propozimet tona”, u shpreh kryesocialisti në detyrë Edvin Rama.
Edhe pse gjatë 7 muajve nuk ndoqi asnjë rrugë juridike, për pretendimet në fjalë, asnjë kërkesë në Gjykatën Kushtetuese, por thjesht e vetëm ligjërata mediatike, duke çoroditur opinionin publik, Edvini përsëri ngulmon mbi legjitimitetin e kërkesave.
Lidhur me një fakt të tillë, Rama, u justifikua duke theksuar se “me një turravrap të tillë ne nuk mund të dilnim gjëkundi”, duke shtuar se “kauza e zgjedhjeve është e patjetërsueshme dhe njëherazi sot, është më e përforcuar, përmes një instrumenti të ri që është drafti me propozime, të cilat i janë vënë palës tjetër në dispozicion”.
“Kemi folur për marrëdhënie të kushtëzuara me parlamentin dhe këto marrëdhënie do të vazhdojnë të mbeten të tilla”, deklaroi ai.
Sipas tij, ka pasur një plan të Fatos Nanos, Ilir Metës dhe Sali Berishës, për të djegur mandatet e deputetëve socialistë që të enjten hynë në parlament.
“Ne në këtë betejë kemi arritur në 6 muaj, ato që unë nuk mendoja se do t’i arrinim kaq shpejt. PS sot, vazhdon të jetë në betejën e saj. PS ka të gjithë të drejtën të gjykojë edhe me bashkëpunimin e partnerëve ndërkombëtare, për të arritur në konkluzionin se bojkoti nuk është kriza, por kriza ka shkaktuar bojkotin. Bojkoti është pasoja e krizës”, tha më tej Rama.
Lidhur me dy argumentet e forta të kundërshtarëve të tij politik në PS, se gjatë 7 muajve nuk u arrit të hapeshin kutitë dhe nuk u çua vendi në zgjedhje të parakohshme, siç edhe u propagandua, Rama mohoi vetveten, teksa tha se “askush nuk ka thënë se kutitë do të hapen për 6 muaj”. “Ne do të ngremë një valë protestash që kurrë nuk janë parë në Shqipëri”, tha Rama.
Ndërhyrja e moderatorit të emisionit se ku janë këto protesta, në një kohë kur janë plot 2 muaj që PS ka rënë në apatizëm të thellë, krijoi një tjetër shqetësim për Ramën, i cili tha se “ne jemi në protestë të vazhdueshme”.
Sipas tij, bojkoti është një instrument themelor i protestës së socialistëve, duke pranuar kështu dështimin e çdo lloj forme tjetër proteste dhe se çdo deklaratë e bërë në media ka qenë thjesht në kushtet e një emocionaliteti të papërmbajtshëm.