E Diel, 1 Nëntor 2026

KE-ja hedh dyshime për akuzat e Del Pontes në librin “Gjuetia”



Sekretari i KE-së, Davis, i habitur se përse akuzat nuk janë bërë më parë
Haga, me nxitjen e Këshillit të Europës, ka hapur një hetim ndërkombëtar
Akuzat e Karla del Pontes lidhur me mundësinë e përfshirjes së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në trafik të organeve të serbëve të vrarë kanë sjellë reagimin e sekretarit të përgjithshëm të Këshillit të Europës, Terri Davis. Në një deklaratë përfaqësuesi i lartë është shprehur se KE-ja është e shqetësuar për deklaratat e Del Pontes dhe për këtë ai ka hedhur një hije dyshimi për faktin se pse ish-kryeprokurorja e Hagës i bëri tani akuzat e saj për trafik organesh mes Kosovës dhe Shqipërisë. “Gjithsesi, unë jam i habitur se pse ajo i ka bërë tani këto deklarata dhe jo më përpara”, - është shprehur ai. Pavarësisht këtyre deklaratave, Gjykata e Hagës, me nxitjen e KE-së, ka hapur një hetim ndërkombëtar për një mundësi trafiku organesh mes Kosovës, Shqipërisë dhe vendeve të tjera. Në librin e saj “Gjuetia” i cili u publikua pak kohë më parë, Karla del Ponte, në pozicionin e kryeprokurores që sapo kishte dorëzuar detyrën, ndër të tjera thekson se “hetuesit e UNMIK-ut kanë zbuluar se mbi 300 serbë dhe të tjerë robër lufte jo-shqiptarë janë përdorur për trafik organesh gjatë verës së 1999-ës”. Në librin e saj Del Ponte shton se të këta persona mbaheshin të izoluar në burgje shqiptare në rajonet e Kukësit dhe Tropojës. Madje, sipas saj, një shtëpi në rajonin e Matit, pikërisht në Bulqizë, ishte kthyer në klinikë për marrjen e organeve njerëzore nga doktorë të specializuar. Këto organe, sipas saj, dërgoheshin jashtë shtetit, duke shfrytëzuar Aeroportin Ndërkombëtar të Rinasit. Por akuzat e ish-kryeprokurores janë hedhur poshtë nga e gjithë klasa politike shqiptare duke u konsideruar të pavërteta. I pari që reagoi ishte deputeti i zonës, Skënder Minxhozi, i cili u shpreh se do ta padiste në Strasburg Del Ponten për akuzat e bëra, pasi të gjitha që thuhen në librin e Del Pontes janë thjesht mashtrime. Minxhozi nëpërmjet një letre iu drejtua edhe ministres së Jashtme të Konfederatës së Zvicrës, ku shprehu zhgënjimin dhe indinjimin e tij për akuzat e Del Pontes, si nga ana tij ashtu dhe nga ana e banorëve të Matit. Deputeti i zonës nxori të gjitha të dhënat dhe faktet se shtëpia ku Del Ponte pretendon se ka qenë klinikë për heqje organesh, nuk ka qenë e mundur të shfrytëzohej për një qëllim të tillë. Akuza për trafikim organesh u rrëzua edhe nga ministri i Jashtëm, Lulzim Basha si dhe Kryeministri Sali Berisha. Këto akuza u kundërshtuan ashpër edhe nga ministrja e drejtësisë së Kosovës, Nekibe Kelmendi, e cila u shpreh se ato që Del Ponte ka paraqitur në librin e saj ishin thjesht fabrikime pa vlerë. Pavarësisht se qeveria shqiptare dhe kosovare kanë hedhur poshtë akuzat e Del Pontes, zyrtarisht është ngritur një grup hetimor për të zbuluar të vërtetën e këtyre fakteve, që vetë ish-kryeprokurorja nuk i bëri gjatë qëndrimit në detyrë.

15 Korrik 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›