E Diel, 1 Nëntor 2026

Prishtina zyrtare: “Takimi i Sejdiut e Thaçit me Bushin, historik”



Takimi i Presidentit amerikan Xhorxh Bush me presidentin dhe kryeministrin e Kosovës Hashim Thaçi më 21 korrik në Uashington është konsideruar si një sukses i madh dhe ngjarje historike nga Prishtina zyrtare. “Ky takim ka një rëndësi historike për Kosovën, me që forcon legjitimitetin ndërkombëtar të Republikës së Kosovës si shtet”. Kështu vlerësojnë përfaqësuesit e institucioneve në Prishtinë, me rastin e paralajmërimit të bisedimeve mes Republikës së Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Agjenci të lajmeve kosovare citojnë zëdhënësin e Presidentit të Republikës së Kosovës, Xhavit Beqiri, i cili ka thënë se kjo vizitë paraqet ngjarjen më të rëndësishme politike për Kosovën, pas shpalljes së pavarësisë së vendit, më 17 shkurt. “Ftesa e Presidentit amerikan për krerët e institucioneve paraqet dëshmi të qartë se SHBA-të mbesin të zotuara ta ndihmojnë Kosovën në rrugën e saj drejt zhvillimit të demokracisë dhe ndërtimit të një shteti, që do të sillte paqe të përhershme dhe stabilitet në rajon”,-është shprehur Beqiri. Edhe zëvendëskryeministri Ramë Manaj ka vlerësuar se ky do të jetë një takim historik, i pari i këtij niveli që nga shpallja e pavarësisë, përmes të cilit Bush vërteton legjitimitetin ndërkombëtar të institucioneve të Kosovës. “Ky është një moment historik për Kosovën me që kemi të bëjmë me vizitën e dy krerëve të shtetit të ri në vendin e demokracisë botërore”, - ka thënë Manaj. Para takimit me Bushin, Sejdiu me Thaçi, më 18 korrik do të bisedojnë me Sekretaren amerikane të Shtetit, Kondoliza Rajs.

Gruevski, letër kryeministrit grek: “Njihni pakicën maqedonase”

Kryeministri i Maqedonisë, Nikolla Gruevski, i dërgoi letër homologut të tij grek, Kostas Karamanlis në të cilën i kërkon njohjen e pakicës maqedonase si dhe zgjidhjen e çështjes së maqedonasve të Egjeut. Gruevski në letër thekson se, nëse gjendet gjuhë e përbashkët për këtë dy çështje, do të zbardheshin shumë padrejtësi historike, të cilat, siç shkruan ai, po ndihen edhe në ditët e sotme. Gruevski në letrën e tij shkruan gjithashtu se është i bindur se kryeministri grek do të angazhohet të ndihmojë për njohjen e pakicës maqedonase në Greqi dhe shkollimin e pjesëtarëve të saj në gjuhën maqedonase në viset ku ata jetojnë. Në fund të letrës Gruevski shkruan se ata të dy nuk mund ta ndryshojnë historinë dhe të kaluarën, por me një dëshirë të mirë, mund të zgjidhin shumë padrejtësi nga e kaluara.

15 Korrik 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›