Pollo e Bojaxhi, projekt në shkolla për të kursyer energjinë
Lançimi i projektit “Energjia është edhe e imja” ishte qëllimi i takimit të ministrit të Arsimit Genc Pollo dhe drejtorit të Përgjithshëm të Korporatës Elektroenergjetike Gjergj Bojaxhi me nxënësit e shkollës bazë “Qazim Turdiu” në kryeqytet. Ky projekt synon ndërgjegjësimin nëpërmjet informimit të nxënësve të shkollës bazë dhe të shkollave të mesme për përdorimin me efeciencë të energjisë elektrike dhe është bashkëpunim mes KESH-it dhe MASH-it. Objektivi është edukimi i fëmijëve me metodat praktike të përdorimit të përditshëm të energjisë elektrike, që nxënësit mund ta marrin shumë më mirë në shkollë, duke mësuar, por edhe duke u argëtuar, për të kursyer në këtë mënyrë një burim i cili nuk është i pashtershëm, dhe mbi të gjitha kushton. Për këtë në të gjitha shkollat bazë dhe ato të mesme do të shpërndahen materiale me tema për përdorimin me efeciencë të energjisë elektrike. Gjithashtu është menduar edhe organizimi i një ekspozite në rang kombëtar, me temë “Të kursejmë energjinë elektrike”, fituesit e të cilës do të stimulohen me çmime, ndërsa imazhet më të mira të realizuara nga fëmijët do të përdoren gjatë fushatës së KESH-it për informimin dhe edukimin.
J. Tashi
9 Shkurt 2008