KE-ja, vazhdon ritualin me vendime te cuditshme

Eshtë mbledhur sot, Komiteti Ekzekutiv në Federatën Shqiptare të Futbollit, i cili ka dalë me vendime shumë të cuditshme. Edhe pse mbledhja, e planifikuar për në orën 10:00 është shtyrë, si pasojë e homazheve në nderim të Arben Mingës, ajo është zhvilluar dy orë më pas, atje ku KE-ja ka marrë katër vendime. Vendimi i parë ka qenë për cmimet e biletave, të ndeshjes miqësore të 7 shkurtit, Shqipëri-Maqedoni, ku Komiteti Ekzekutiv, duke patur parasysh cmimet e ndeshkjeve të mëparshme të përfaqësueses, këtë herë kanë vendosur cmime më të arsyeshme. Kështu, një vend në tribunën qendrore do të kushtojë 500 lekë, në tribunën përballë 400 lekë dhe në anësore 200 lekë, duke shënuar ndoshta cmimet më të ulëta të biletave, të kohëve të fundit.
Por, duke dalë nga tema e kombëtares, një tjetër vendim që ka marrë dje Komiteti Ekzekutiv ka qenë miratimi i "top listës" së arbitrave të Kategorisë Superiore, me 18 gjyqtarë kryesorë dhe me 27 asistentë. Po kështu, është miratuar edhe kursi tre-javor, për përgatitësit atletikë të ekipeve, me pjesëmarrjen e lektorëve nga UEFA dhe Federata Italiane e Futbollit (FIGC).
Por, vendimi më i cuditshëm ka qenë ai i marrë në lidhje me klubet. Kështu, sipas vendimit të katërt, KE-ja ka miratuar faljen, për gjobat e klubeve, për sezonin 2006 2007. Ky vendim është marrë, duke pasur parasysh kërkesën e disa klubeve. Gjobat që do të falen, janë për shkeljet dhe moszbatimin e rregulloreve të klubeve, gjatë ndeshjeve të kampionatit.