E Shtunë, 31 Tetor 2026

Filloi “kësti” i dytë i kampionatit

Speciale nga Agron KAJA
Më në fund erdhi edhe dita e 2 shkurtit, kur kalendari sportiv i futbollit shqiptar filloi përsëri "zhurmën" në fusha e në stadiume, duke hapur kështu fletën e parë të vitit 2007. Ka qënë një shëputje e gjatë që nga 24 dhjetori i vitit të kaluar me takimin Teuta-Besa,1-0, por vetëm me kampionat, sepse të gjitha skuadrat kanë lëvizur në këto 40 ditë pushimi duke mos e lënë bosh kohën pa aktivitet zyrtar. Por më parë duhet thënë se, në cfarë situatash e mbyllën skuadrat e Kategorisë Superiore gjysmën e parë të sezonit 2006-2007? Në kampionat është skuadra e Tiranës në "pole position" thuajse në të gjithë treguesit e kësaj periudhe. Renditja në vendin e parë me një diferencë prej 6 pikësh ndaj vendit të dytë, tregon se epërsia ka qënë në anën e bardhebluve, por pa harruar se pas saj kanë qënë në të gjitha javët e luajtura Teuta, e më pas Vllaznia dhe Elbasani. Në fundin e renditjes skuadrat duket sikur i kanë ndarë hesapet, duke vecuar Shkumbinin dhe Apoloninë, të cilat tani kanë vetëm një alternativë: "Luftë për jetë a vdekje". Skuadrat e tjera e mbyllën këtë periudhë me një "komoditet" ne mesin e renditjes, por asnjëherë të sigurta se finishi do t'i gjejë në këto pozicione. Në të tilla situata të gjitha skuadrat mbyllën 17 javët e para të kampionatit dhe ju drejtuan vitit të ri me plane e platforma, të cilat gjatë muajit janar u hodhën në zbatim. E pikërisht kanë qënë lëvizjet në merkato dhe faza përgatitore ato që i mbajtën në tonusin e lojës së futbollit, dikush më shumë e dikush më pak, dikush në Shqipëri e dikush jashtë saj, për t'i treguar sot dhe nesër "live" se cfarë kanë gatuar në këtë periudhë. Dhe nisi kjo fletë e 18-të e kampionatit me dy ndeshje, sa të bukura aq edhe të vështira për t'i përcaktuar. Në Vlorë u luajt ndeshja e 130-të midis Flamurtarit dhe Vllaznisë, një ndeshje ku historia e tregonte si të vecantë, ndërsa realiteti e sillte me synime të kundërta. Gjithsesi, ishte një sfidë nga e cila u pane qartë ato punë që kishin bërë ndryshe këto skuadra nga gjysma e parë e kampionatit. Një barazim i cili u duk mëshumë si një "hakmarrje" e barazimit 2-2 në fazën e parë në Shkodër. Po kështu u pa qartë edhe cifti tjetër, Shkumbini-Apolonia, por me të vecantën se skuadra fierake arriti të fitojë vetëm me 1 gol, të shënuar nga talenti Sabino Plaku. Ishin dy të fundit që mes tyre kanë luajtën ndeshjen e 20-të, por që më shumë se historia, ju interesoi realiteti, lufta për tri pikët. Tashmë Apolonia mundtë thuhet se e hodhi një hap drejt mbijetesës dhe pritet skuadra tjetër që do të ketë fatin e Shkumbinit. Por nuk mundet që këto dy ndeshje të para të javës së 18-të të na zenë "sytë" për të mos parë se cfarë do të kemi ditën e shtunë. Dihet nga kalendari se është një kryendeshje, Tirana-Teuta, e 137-ta midis tyre, që do të na thotë shumë për kryesimin. Ndeshja është zhvendosur në stadiumin kombëtar "Qemal Stafa" dhe jo në "shtëpinë" e përhershme të bardhebluve, stadiumin "Selman Stërmasi". Elbasani prêt Partizanin në stadiumin "Ruzhdi Bizhuta", një skuadër të kuqe të lodhur nga largimet dhe nga peticionet, port ë mirëstërvitur nga Hasan Lika gjatë periudhës dimërore. Ndeshja në Krujë mes Kastriotit dhe Dinamos ka shumë pikëpyetje, jo vetëm se krutanët janë të pathyeshëm në fushën e tyre në 17 ndeshjet e zhvilluara deri tani, por edhe për faktin se kanë disa përfocime cilësore që nuk i kanë patur gjatë vitit 2006. Besa "O sot o kurrë" në ballafaqimin në fushën e saj me Luftëtarin, një skuadër e cila transfertat nuk i ka të suksesshme. Kështu u luajtën 180 minutat e para të javës së 18-të dhe me 360 minutat në katër ndeshjet e tjera do të mbyllet fleta e parë futbollistike për vitin 2007. PËR TU KUJTUAR Kampionati rinis pa sherrin "VIP" Periudha e dytë e kampionatit të 68-të Kombëtar të futbollit ka edhe të vecantën e saj, sepse ajo do të nisë pa sherrin "telenovelë" midis FSHF-së dhe MTKRS-së, i cili ka nisur që në fundin e vitit 2005. Ndryshe nga starti i parë i sezonit, i cili nëpër "këmbë" pati problematikën e këtij debati, kjo periudhë është duke e mbajtur nën vete debatin në fjalë, por ndoshta në "gjirin" e saj, për ta shpërthyer në kohën dhe vendin e duhur (sipas tyre). Gjithsesi, kjo dukuri e vacantë e kësaj periudhe i bën mirë vetëm futbollit, i cili sot "shkund" pluhurin nga rrjetat. Apolonia, rekord federimesh Në mesin e fazës së dytë, skuadra e Apolonisë kaloi një situatë shumë të vështirë. Iu larguan 11 futbollistë e më pas trajneri, gjë e cila i detyroi drejtuesit e kësaj skuadre që të plotësonin boshllëqet e krijuara, duke bërë një merkato me shifra të pa prekura ndonjëherë në këtë periudhë nga të gjithë skuadrat e tjera të futbollit shqiptar. Duke marrë 14 futbollistë dhe 1 trajner, nga të cilët 10 futbollistë të huaj, Apolonia vendosi rekordin e merkatos në të gjithë historinë e futbollit shqiptar, ku Dinamo në sezonin 2005-2006 kishte 7 futbollistë dhe 1 trajner të huaj. KUR U NDËRPRE KAMPIONATI Tirana "kampione e dimrit" Në gjysmën e parë të kampionatit, skuadra e Tiranës udhëhoqi kampionatin që nga java e 3-të, duke dalë kështu në krye për 14 javë dhe duke u shpallur njëkohësisht "Kampione e Dimrit". Me 10 fitore, 4 barazime dhe 2 humbje dhe me golavarazhin 36-20, bardheblutë grumbulluan 37 pikë në 17 javë, pa pësuar asnjë humbje në fushën e vet. Vetëm 6 pikë e ndajnë skuadrën e Tiranës nga vend ii 2-të, Teuta e Durrësit me 31 pikë. Goleadorët, dy "firma" bardheblu Ashtu si në gjysmën e parë të kampionatit të kaluar ku golashënues ishte Hamdi Salihi i Tiranës, edhe në gjysmën e parë të sezonit në vazhdim, "Këpuca e Artë" mbeti përsëri në Tiranë, por këtë herë me dy firma. Sepse Vioresin Sinani dhe Hamdi Salihi u renditën të parët në listë me nga 13 gola të shënuar, që së bashku i dhanë Tiranës 26 gola, nga 36 të shënuar gjithsej nga kjo skuadër. Një rekord më vete i kësj periudhe. TË VECANTA 40 Ditë kanë kaluar nga ndërprerja e gjysmës së parë të kampionatit të 68-të Kombëtar, pikërisht nga data 23 dhjetor 2006 17 Javë janë zhvilluar deri tani në kampionatin e 68-të Kombëtar të Kategorisë Superiore, në harkun kohor të 120 ditëve 16 Javë kanë mbetur deri në përfundimin e kampionatit të 68-të Kombëtar të Kategorisë Superiore, në harkun kohor të 113 ditëve 87 Futbollistë dhe 3 trajnerë ishin merkatua e 12 skuadrave të Kategorisë Superiore gjatë muajit janar 2007. 24 Futbollistë të huaj erdhën për herë të parë në kampionatin shqiptar të futbollit, 8 maqedonas, 4 kroatë, 3 kosovarë, 4 brazilianë dhe 6 afrikanë. 15 Është numri i merkatos në skuadrën e Apolonisë, 14 futbollistë dhe 1 trajner, rekordi i merkatos shqiptare të futbollit.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›