E Diel, 1 Nëntor 2026

KE ju ndihmon, por ky është vendi juaj

Ambasadori i BE-së në Tiranë, Etore Sekui

Shqipëria ka bërë progres sa i përket reformës zgjedhore, por nuk mund të thuhet e njëjta gjë për reformën parlamentare. Kështu u shpreh dje ambasadori i Komisionit Europian në vendin tonë, Etore Sekui, gjatë ditës së dytë të takimit konsultativ BE-Shqipëri për përmirësimin e Planit të Veprimit. Ka pasur progres, ecuri në një sërë fushash, për shembull në procesin e reformës elektorale – nuk do të flas këtu për historikun e arritjeve gjithsesi, mendoj që është e nevojshme që të arrihet progres përsa i përket reformës elektorale. Duhet të shtojmë përpjekjet në mënyrë që të arrijmë afatet; grupi i punës për procedurat parlamentare ka ecur me një hap më të ngadalshëm, por mendoj se është e rëndësishme të shtohen energjitë në këtë aspekt, u shpreh diplomati nga Brukseli në pjesën e parë të këtij takimi, e cila ishte e hapur edhe për mediat. Ai tha gjithashtu se prania e përfaqësuesve nga Bashkimi Europian në këtë tryezë, tregon gatishmërinë e Brukselit për ta ndihmuar Shqipërinë në marrjen e statusit të vendit kandidat. Sekui theksoi se beson ende në marrjen e statusit pasi të plotësohen 12 rekomandimet e vendosura një vit më parë nga Komisioni Europian. Sot mendoj se duhet të mirëpresim gatishmërinë e përfaqësuesve të të gjitha palëve për tu ulur bashkërisht, për të qenë pjesë e këtyre diskutimeve. Jam shumë i kënaqur që disa herë që ju (ministrja Bregu) përmendët fjalët vullnet politik. Kohët e fundit, KE ka anonçuar një projekt binjakëzimi për asistencë ndaj Parlamentit, ndaj mos hezitoni të kërkoni asistencën e këtij projekti, ndërsa për problemet kryesore që duhen trajtuar, mendoj se ekziston vullneti politik për ti zgjidhur, u shpreh ambasadori. Teksa vlerësoi klimën aktuale politike në vend, Sekui tha se është pozitiv fakti që Parlamenti ka zgjedhur me konsensus Avokatin e Popullit dhe ka miratuar disa ligje me shumicë të cilësuar. Në përgjithësi janë shënuar arritje: kemi folur për miratimin e një sërë ligjesh që kërkon një maxhorancë, përfshi dhe ligjin për Avokatin e Popullit, të gjitha këto janë arritje të rëndësishme.
Jam i mendimit që duhet të mbështetemi në këto arritje, jam i sigurt që me angazhim të fortë, me punën tonë të përditshme, të arrihen rezultatet që ne dëshirojmë. Së treti, duhet angazhim dhe vullnet politik. Mendoj që ky seminar do të ndihmojë shumë në ecjen drejt rrugës së integrimit. Jemi këtu tju ndihmojmë, por kuptohet, ky është vendi juaj, kjo është e ardhmja juaj, përfundoi fjalën e tij ambasadori.

Mcllwham: Integrimi, si projekt kombëtar
Ambasadorja britanike në Shqipëri tha dy ditë më parë se integrimi europian duhet trajtuar si projekt kombëtar. Progresi i Shqipërisë, siç e dimë, nuk ka qenë aq i qetë dhe i shpejtë. Shqipëria ka marrë 12 rekomandime statusin kandidat dhe hapjen e negociatave. Për dallim, Serbia, ku sipas sondazheve, entuziazmi është më i ulët, po vepron, po arrin rezultate, dhe ka ecur përpara. Media ka një rol vendimtar për ta nënvizuar dhe ngushtuar këtë hendek, tha ambasadorja.

Bregu: Bllokimi i reformave na dëmton
Në ditën e dytë të takimit konsultativ BE-Shqipëri për përmirësimin e Planit të Veprimit, ministrja e Integrimit, Majlinda Bregu, ka apeluar dje për bashkëpunim mes maxhorancës dhe opozitës në Komisionin e Reformës Parlamentare dhe asaj të Rregullores së Kuvendit. Duke folur në fillim të këtij takimi, ministrja tha se reforma zgjedhore dhe ndryshimi i Rregullores së Parlamentit janë reforma që mund të qëndrojnë fare mirë edhe jashtë 12-pikëshit të Planit të Veprimit, por që përmbushja e tyre varet nga serioziteti dhe vullneti politik; shpresoj që fryma e këtij takimi të jetë konstruktive, në mënyrë që të mos bllokohet me arsye të parëndësishme ecuria dhe përmbushja e këtyre reformave. E kundërta na dëmton të gjithëve, qytetarët dhe axhendën e integrimit europian.

ADI SHKEMBI

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›