Rusmali: BE të penalizojë Presidentin për dekretet

Ilir Rusmaili
Debate mes maxhorancës dhe opozitës para Delegacionit të BE-së.
Maxhoranca dhe opozita nuk arritën të shmangin dje para Delegacionit të BE-së kontradiktat mes tyre lidhur me mospërmbushjen e prioriteteve të integrimit. Në takimin e djeshëm në Ministrinë e Integrimit, deputeti socialist Ditmir Bushati dhe ai demokrat, Ilir Rusmali, debatuan lidhur me rrëzimin e dekreteve të Presidentit të Republikës për emërimet në Gjykatën e Lartë dhe Gjykatën Kushtetuese. Në Ministrinë e Integrimit, në ditën e dytë të bisedimeve me Delegacionin e BE-së, u debatua për nivelin e përmbushjes se prioriteteve 1-4, që kanë të bëjnë me reformën Parlamentare, ligjet që kërkojnë shumicë të cilësuar, emërimet në Gjykatën Kushtetuese dhe Gjykatën e Lartë, si dhe reformën zgjedhore. Të pranishëm në këtë takim ishin ministrja Bregu, si organizatore, shefi i Njësisë për Shqipërinë në Komisionin Europian, Vasilis Maragoss, kryetari i Komisionit të Integrimit, Ditmir Bushati, bashkëkryetarët e Komisionit për Reformën Zgjedhore, Rusmali, Gjiknuri, bashkëkryetarët për reformën parlamentare Gjana, Dokle, drejtori i kabinetit të Kryeministrit, Oerd Bylykbashi, si dhe diplomatë të vendeve anëtare të BE-së, përfaqësuesi i OSBE-së etj.
Debati
Debati i djeshëm në këtë takim përpara Delegacionit të BE-së tregoi qëndrimet e kundërta mes palëve në lidhje me mosplotësimin e Prioritetit nr. 3, që është ai i emërimeve në Gjykatën Kushtetuese dhe atë të Lartë. Kryetari i Komisionit të Ligjeve, Rusmali, për mosplotësimin e këtij prioriteti i kërkoi Delegacionit të BE-së të penalizonte Presidentin e Republikës, pasi sipas tij, ai nuk pyet se si i përzgjedh kandidatët për Gjykatë Kushtetuese e Gjykatë të Lartë. Nuk dihet se mbi çbazë i përzgjedh emrat në shportë. Është një proces komplet jokushtetues nga ana e tij dhe jo transparent. Ndërkohë që BE duhet të kritikojë pikërisht Presidentin dhe jo ne, pasi ne jemi shumë transparentë, dhe të tillë kemi qenë, u shpreh Rusmali.
Por, deputeti socialist, kryetari i Komisionit të Integrimit, Bushati, ka kundërshtuar argumentin e Rusmalit duke kujtuar rekomandimet e përfaqësuesve të BE-së. Kjo nuk është tryeza ku mund të sillen frustrimet apo mllefet personale ndaj Presidentit, ndaj do tju ftoja që të flisni me qetësi e ti përmbaheshit etikës, zoti Rusmali. BE e thotë shumë qartë, që nevojitet një bashkëpunim mes Kuvendit e Presidentit për çështjen e emërimeve në Gjykatë të Lartë e Kushtetuese, rishikim të ligjeve, shmangie të politizimeve, siç janë vënë re, ndërsa ju vijoni të bëni të kundërtën, u shpreh Bushati. Sipas tij, maxhoranaca ka rrëzuar politikisht dekretet e Presidentit, emra të cilët më parë nga e njëjta shumicë parlamentare janë votuar si gjyqtarë me përvojë. E njëjta maxhorancë ka zgjedhur në 92-shin një gjyqtar në Gjykatën e Lartë, ndërsa kësaj radhe e ekzekuton politikisht dhe i thotë që nuk je për Gjykatë Kushtetuese, u shpreh Bushati.
Debati dje në Delegacionin e BE-së
Majlinda Bregu: Ka një qëndrim të kryetarit të Komisionit të Ligjeve për këtë çështje, që i ka kthyer përgjigje kryetarit të Komisionit të Integrimit.
Ilir Rusmaili: Në fakt, është qëndrimi i Komisionit të Ligjeve.
Ditmir Bushati: E gjej me vend të sqaroj që ky qëndrim është i njëanshëm dhe përfaqëson veçse atë të shumicës parlamentare. Ndonëse korrekt nga pikëpamja e praktikës parlamentare, ky qëndrim ka ardhur pa një proces të dakordësuar paraprak mes dy grupeve politike në Komisionin e Ligjeve. Do të dëshironim të shihnim, në përputhje me filozofinë e këtij procesi, një proces që përpiqet të afrojë pikëpamjet tona, dhe jo ti përsërisim BE-së të njëjtën gjë. Ndaj, në komunikimin që kam pasur me ju, zonja ministre, kam kërkuar ndihmën tuaj për adresimin e kësaj çështjeje.
Majlinda Bregu: Po, është e vërtetë, zoti Bushati e konsideron si çështje shqetësuese.
Ilir Rusmali: Mos ta ulim nivelin e kësaj tryeze kaq poshtë. Qëndrimi ynë është i qartë. E gjithë përgjegjësia qëndron te Presidenti i Republikës, i cili nuk pyet se si i përzgjedh kandidatët për Gjykatë Kushtetuese e Gjykatë të Lartë. Nuk dihet se mbi çbazë i përzgjedh emrat në shportë. Është një proces komplet jokushtetues nga ana e tij dhe jo transparent. Ndërkohë që BE duhet të kritikojë pikërisht Presidentin, dhe jo ne, pasi ne jemi shumë transparentë, e të tillë kemi qenë. Unë jam ekspert i së drejtës kushtetuese. Ka dy modele në botë, ai europian dhe ai amerikan. Ne i themi Presidentit zgjidh, ai nuk pranon e vazhdon me mënyrën e tij krejtësisht jotransparente. Po të lexojë BE-ja qëndrimin tonë, do të bindet.
Vasilis Maragos: Do të ishte mirë që në këtë takim të ishin edhe përfaqësuesit e Presidentit të Republikës për të shprehur pikëpamjet e këtij institucioni.
Ditmir Bushati: Kjo nuk është tryeza ku mund të sillen frustrimet apo mllefet personale ndaj Presidentit, ndaj do tju ftoja që të flisni me qetësi e ti përmbaheshit etikës, zoti Rusmali. Aq më tepër që nuk ka as kamera, e rrjedhimisht as Big Brother-i nuk ju vëzhgon dot. Zonja ministre, në seminarin që zhvilluam vjet nën drejtimin e drejtorit të Përgjithshëm të Zgjerimit, Sannino, ishin të pranishëm dy këshilltarët ligjorë të Presidentit, të cilët shprehën pikëpamjet e tyre, ndërsa sot dua ti bashkëngjitem shqetësimit të zotit Maragos e të pyes: pse nuk janë? BE e thotë shumë qartë që nevojitet një bashkëpunim mes Kuvendit e Presidentit për çështjen e emërimeve në Gjykatë të Lartë e atë Kushtetuese, rishikim të ligjeve, shmangie të politizimeve, siç janë vënë re, ndërsa ju vijoni të bëni të kundërtën. Kjo është një çështje e identifikuar në raportin analitik të 2010-s, në raport-progresin e 2011-s dhe në dokumentin që i bashkëngjitet letrës së zotit Sannino, ndaj ju bëj thirrje që të jemi të përgjegjshëm.
Ilir Rusmali: Kjo çështje mund të zgjidhet vetëm pas zgjedhjeve presidenciale të verës. Ne i qëndrojmë pikëpamjes sonë, që e keqja duhet gjetur në Presidencë, e jo tek ne në Parlament. Kolegu Bushati kërkon të njollosë Parlamentin.
Ditmir Bushati: Përkundrazi, kërkoj që Kuvendit ti kthehet dinjiteti, siç e kërkon BE. Sepse BE, ashtu si ne, e di shumë mirë që Kuvendi ka ekzekutuar politikisht ish-gjyqtarin e Gjykatës së Strasburgut. E njëjta maxhorancë ka zgjedhur në 92-shin një gjyqtar në Gjykatën e Lartë, ndërsa kësaj radhe e ekzekuton politikisht dhe i thotë që nuk je për Gjykatë Kushtetuese. Më vjen keq që e shihni zgjidhjen me zgjedhjen e Presidentit të ri siç shihni zgjidhjen e problemeve në Gjyqësor me ndryshimin e KLD-së. Unë e kam fjalën për institucionin, e jo emrin, i cili do të vijojë të ekzistojë edhe pas mbarimit të mandatit të Presidentit aktual. Ndaj do tju ftoja të kuptojmë që bëhet fjalë për institucionin që na garanton shtetin, e jo pushtetin.
Ilir Rusmali: Të heqim dorë nga retorika idiote, pasi qëndrimi ynë është shprehur në shkresën që ju kam dërguar.
Ditmir Bushati: Qetësisht po vijoj tju bëj me dije se në rast se me retorikë idiote keni parasysh atë që sapo thatë këtu, apo gjestet e panevojshme që bëtë, këtë po e pranoj me kënaqësi si mea culpen tënde.
Majlinda Bregu: Pra, zoti Bushati, si do veprojmë?
Ditmir Bushati: Ashtu siç na sugjeron BE-ja që nga 2010-a, nëse duam të përparojmë.
Raport për progresin e Shqipërisë në PE
Kryetari i Delegacionit të PE-së për Shqipërinë, Eduard Kukan, tha dje se Parlamenti Europian do të hartojë një raport për Shqipërinë përpara p