Metisi interesant
Si pjesë e ekspozitës së tij personale të martën në Ferizaj u shfaqën 32 vepra figurative të Muhamet Ahmetit. Puna e autorit, bazuar në këto vepra, ndërlidhet ngushtë me simbole të lashta mitologjike, por pa lënë anash as ato të kohës së re.
Vetë Ahmeti, për konceptin e punimeve të tij thotë se ai kryesisht ndërlidhet me figuracionin artistik, sipas fushave krijuese.
“Pra është ilustrimi humoristik, i bazuar nga temat e festivaleve të ndryshme që organizohen nëpër botë. Në bazë të këtyre temave, të cilat paraprakisht caktohen nga organizatorët e ndryshëm nëpër botë, secili krijues konkurron me punime personale nga shteti që vjen”, thotë ai.
Galeria e Arteve në Ferizaj, përveç punës figurative të Metis, të martën nga ora 19 priti edhe shumë mysafirë, artdashës e kolegë të Ahmetit, përderisa vetë ai mbeti i kënaqur me organizimin e bërë nga Drejtoria komunale për Kulturë. Sipas tij, duket se Ferizaj tashmë ka krijuar kushte për organizimin e aktiviteteve të mirëfillta kulturore edhe në suaza më të gjera.
“Në hapje ishin shumë artdashës, mediume, personalitete të shquara nga politika, kultura e arti, dhe ky për mua vërtet ishte një moment i veçantë”, shprehet tutje Ahmeti.
I pyetur nga Express se, përse pas aq shumë kohësh puna e tij shfaqet në një ekspozitë të tillë, Ahmeti tregon se ai ishte vazhdimisht aktiv dhe se gjatë gjithë kohës merrte pjesë nëpër ekspozita të përbashkëta në vende të ndryshme, ndonëse kjo ekspozitë personale e tij erdhi tek pas pesë vitesh aktivitet.
“Kuptohet që veprat krijohen në afate të ndryshme kohore, kështu që disa prej tyre tashmë janë ekspozuar edhe në disa vende të tjera, mirëpo të gjitha veprat e ekspozuara në Ferizaj i përkasin periudhës mes viteve 2007-2011”, thekson Ahmeti.
Shikuar në përgjithësi, krijimtaria e Ahmetit kryesisht i përket teknikës mix-media, që nënkupton se gjatë realizimit të një vepre autori bënë disa kombinime.
“Së pari filloj me zbërthimin e idesë kreative, pastaj kaloj në fazën tjetër të realizimit përmbajtjesor, dhe më pas i ngjyros, hijezoj dhe i shtyp në kopje të caktuara. Ndërkaq, tek piktura e vizatimi veprat i realizoj me laps, akril dhe në vaj”, sqaron Ahmeti.
Kritiku i artit, Rexhep Goçi, ndërkaq thotë se dimensioni artistik i Metisit është subjektiv dhe objektiv, gjegjësisht një sintezë e fantastikes me imazhe reale.
“Njohuritë e tij për ilustrimin, rrëfimin, poetikën e deri te trajtat e pikturuara, janë prezente në çdo vepër të realizuar”.
Artistja, Majlinda Kelmendi, nga ana tjetër, ekspozitën e realizuar të profesorit Muhamet Ahmeti (Metis) e cilëson si një vlerë artistike. Ajo veçanërisht dallon ilustrimet dhe punimet digjitale, të cilat “i karakterizon sarkazma, filozofia, kapja e temave të cilat janë shumë aktuale, dhe që Ahmeti i sjellë në mënyrë artistike dhe me një humor thumbues tepër të hollë, por edhe me kompozime, teknikë dhe kolorit mjaftë të veçantë”.
“Ekspozita e paraqitur nga kolegu dhe profesori Metis tregon dhe dëshmon për një punë sistematike, inteligjente dhe me vlerë. Kisha dalluar veprat si ‘Histori’, ‘Burrëria’, ‘Diskriminimi’...etj”, shprehet Kelmendi
Disa prej veprave të ekspozuara në Ferizaj ishin pjesë e ekspozitave kolektive në shtete të ndryshme, si në Itali, Iran, Portugali, Belgjikë etj. Ekspozita në Ferizaj, e përkrahur nga Drejtoria për Kulturë, Rini dhe Sport e Komunës së Ferizajt, dhe të qëndrojë e hapur deri më 1 qershor.