E Diel, 1 Nëntor 2026

KE, opozitës: Në Kuvend për të miratuar reformën në drejtësi

Rikthimi i opozitës në parlament është kusht për hartimin e ligjeve që do të jenë baza e një reformimi të thellë në sistemin gjyqësor. Mesazhi është i ambasadorit të Komisionit Europian ne Tiranë Helmut Lohan, i cili gjatë konferencës mbi sistemin gjyqësor, deklaroi se bashkëpunimi i politikës është kusht për progresin e Shqipërisë. Sipas tij është e nevojshme një konsensus politik për miratimin e projekt ligjeve për sistemin e drejtësië.
Helmut Lohan “Duhet të arrihet një marrëveshje politike për reformën në gjyqësor. S’bëhet fjalë për sundim të ligjit nga pozita apo opozita. Debati politik duhet të vazhdojë në parlament.”
Të njejtin apel për poltikën bëri dhe Presidenti i Republikës Bamir Topi. Si kryetar shteti, ai kërkoi bashkëpunim dhe dialog, si e vetmja rrugë për të realizuar reformat në sistemin e drejtësisë si kushtet e vëna nga ndërkombëtarët.
Bamir Topi “Është pjesë substanciale e partive politike për të bashkëpunuar për të realizuar reformën. Reforma disa herë është intensive, disa herë ndërpritet. Reforma në gjyqësor kërkon patjetër bashkëpunim të pandërprerë.”
Në cilësinë e kryetarit të Këshillit të Lartë të Drejtësisë, Topi dha vlerësimet e tij për gjyqësorin.
Bamir Topi “Pavarësia s’duhet kërkuar as tek politika as tek instiucionet, pavarësia duhet kërkuar tek individi. Disa gjyqtarë kërkojnë karrierë në rrugë jo të ndershme. Disa gjyqtarë kërkojne të jenë protagonistë në linja sekondare, jo nëpërmjet ballafaqimit me përmbajtjen e profesionit te tyre. Procesi i emërimit të gjyqtarëve duhet të jetë ekstremisht transparent.”
I ftuar në hapjen e konferencës për reformimin e sistemit gjyqësor, organizuar nga EURALIUS, Ministri i Drejtesise Bujar Nishani deklaroi se qeveria është e vendosur të zbatojë reformën në drejtësi, si kusht për integrimin drejt Bashkimit Europian. Nishani theksoi se transparenca duhet të rrethojë sistemin e drejtësisë, ndërsa sfidat do të mund të realizohen vetëm nëpërmjet një bashkëpunimi racional.
Progres-raporti për Shqipërinë i publikuar pak ditë më parë, nënvizoi disa nga sfidat me të cilat përballet sistemi i së drejtës. Ambasadori Gjerman, Bernard Borchard dhe shefi i misionit Euralius Ronald Miklau deklaruan se duhet shumë punë për të ndryshuar sistemin e së drejtës në vend, që nisin me transparencën, efiçensën dhe rikthimin e besimit tek publiku. Ata kërkuan dokumentimin e shkeljeve që kryehen nga gjyqtarët gjatë punës së tyre dhe materialet t’i dërgohen prokurorisë për një procedim penal.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›