E Shtunë, 31 Tetor 2026

Presidenti Topi takime me Komunitetet fetare

Presidenti i Republikës, Bamir Topi ishte i ftuar dhe në hapjen e Konferencës së Këshillit Ndërfetar të Shqipërisë. Në praninë e krerëve të katër komuniteve fetare në vend, kreu i shtetit dha mesazhet për një tolerancë ndërfetare. Pjesëmarrës në këtë konferencë ishin Shkëlqesi Haxhi Selim Muça, Kryetar i Komunitetit Mysliman, Hirësi Anastas Janullatos, Kryetar i Komunitetit Ortodoks, Shkëlqesi Monsinjor Rrok Mirdita, Kryetar i Komunitetit Katolik, dhe i Nderuari Haxhi Dede Reshat Bardhi, Kryetar i Komunitetit Bektashian.
Një institucion i tillë, i bazuar në traditën historike dhe fetare të popullit tonë është tepër i domosdoshëm në kohërat kur jetojmë. Këshilli Ndërfetar i Shqipërisë duke patur si synim dhe objektiva rritjen, forcimin dhe përsosjen e pandërprerë të marrëdhënieve të ndërsjellta mes bashkësive fetare tradicionale në Shqipëri ka marrë përsipër një mision sa fisnik, aq edhe njerëzor: ndërtimin e një shoqërie sa më paqësore e sa më të drejtë në Shqipëri- ka deklaruar Presidenti Topi.
Formimi i KNFSH-së e ka zanafillën e vet më 18 Mars 2005, kur u nënshkrua edhe “Deklarata e Angazhimeve Morale të Përbashkëta” në Tiranë nga katër komunitetet fetare tradicionale të vendit tonë. Qëllimi parësor i këtij Këshilli lidhet me forcimin, konsolidimin dhe përsosjen e vazhdueshme të marrëdhënieve të ndërsjellta midis komuniteteve fetare shqiptare.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›