E Diel, 1 Nëntor 2026

KE zhbllokon kredencialet për Shqipërinë

Autori i Lajmit: RedaksiaNë Strasburg është mbledhur dje paradite Komisioni i Rregullores së Këshillit Evropian, për të diskutuar mbi kredencialet e Shqipërisë. Deputetja e Partisë Demokratike, njëkohësisht anëtare e delegacionit shqiptar në Parlamentin Evropian, Lajla Përnaska, ka konfirmuar se Komisioni ka vendosur shkrirjen e kredencialeve për delegacionin shqiptar. “Në unanimitet të plotë komisioni mbështeti kredencialet e Shqipërisë. Kjo ishte procedurë rutinë e komisionit. Ajo çka dua ti përcjell opinionit publik është se dështoi edhe një herë tentativa e turpshme e Edi Ramës për të përjashtuar Shqipërinë. Rama nuk ka shans të cenojë integrimin e Shqipërisë”,- deklaroi Përnaska. Ajo ndodhet në Strasburg, si anëtare e delegacionit shqiptar në PE, njëkohësisht dhe anëtare e Komisionit të Rregullores së Këshillit Evropian ku u diskutuan sot kredencialet e Shqipërisë. Edhe Mesila Doda, deputete e PD-së, e cila është si zëvendësuese në delegacion, ka thënë dje se pro rikthimit të kredencialeve të delegacionit shqiptar votoi edhe Andreas Gross, i cili dje propozoi “ngrirjen” e delegacionit shqiptar. Kjo është hera e dytë që delegacioni shqiptar në Asamblenë e Këshillit të Evropës u bë objekt i verifikimeve mbi përbërjen e tij dhe përputhshmërinë me rregullat e këtij institucioni. Një vit më parë, verifikimi i kredencialeve u bë për shkak të zëvendësimit të papritur në përbërjen e delegacionit të kryetarit Aleksandër Biberaj, njëkohësisht edhe zëvendëspresident i Asamblesë së Strasburgut. Çështja e delegacionit, për një debat mes shumicës dhe opozitës shqiptare shtrohet në një moment kur pas dy ditësh Asambleja e Këshillit të Evropës do të marrë në shqyrtim një raport mbi Shqipërinë ku situata politike cilësohet problematike. Në raport kërkohet që qeveria të ngrejë një komision parlamentar hetimi për zgjedhjet dhe opozita të hyjë në Parlament, si dhe propozon një tryezë të partive politike dhe ndërmjetësim nga ana e presidentit Bamir Topi.

Ky lajm është publikuar: 27/01/2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›