E Shtunë, 31 Tetor 2026

Topalli: “PS kërkoi ngrirjen e kredencialeve”

Autori i Lajmit: Suela Topi
Kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli, akuzon Partinë Socialiste si përgjegjësen e vetme për ngrirjen e kredencialeve të delegacionit shqiptar në Asamblenë e Këshillit të Evropës. Kryeparlamentarja Topalli pohoi dje në një konferencë për shtyp, se PS nëpërmjet një letre të firmosur nga sekretarja për Marrëdhëniet me Jashtë, Arta Dade, i kërkonte KE-së ngrirjen e kredencialeve. Duke bërë publike këtë letër, ajo pohoi se ky veprim, sipas saj, është një atentat ndaj imazhit të Shqipërisë, ndërsa fajësoi kryesocialistin Edi Rama si përgjegjësin kryesor. Ajo shtoi se për asnjë moment nuk kishte dyshuar në vendimin e drejtë të Këshillit të Evropës, i cili u miratua dje. Ajo shtoi se nuk mund ti garantonte shqiptarët për të tjera atentate të tilla të PS-së, por nga ana tjetër dha garanci se kredencialet e Shqipërisë do të miratohen në çdo organizëm ndërkombëtar.
Akuza
“Jam sot këtu, për të informuar opinionin publik për një ngjarje jashtëzakonisht të rëndë, të cilën do ta konsideroja si një atentat të qëllimshëm ndaj imazhit politik të Shqipërisë.
Dy ditë më parë, pra, më datë 24 janar, Partia Socialiste, nëpërmjet kësaj letre, që mban stemën dhe vulën e Partisë Socialiste, e firmosur nga Arta Dade, i ka kërkuar zyrtarisht Këshillit të Evropës, heqjen e kredencialeve të Delegacionit Shqiptar në Asamblenë Parlamentare, de facto, përjashtimin e Shqipërisë nga ky organizëm evropian”, - tha dje Topalli. Ajo shtoi se në mënyrë të qëllimshme, zyrtarisht, Partia Socialiste mashtron Këshillin e Evropës, kur thotë se “Kryetarja e Parlamentit ka shkelur rregulloren, duke mos respektuar proporcionalitetin në përbërjen e delegacionit”. Kësaj gënjeshtre, shtoi Topalli, nuk po i përgjigjem me fjalët e mia, por me vendimin e Komitetit për Rregulloren, Mandatet dhe Imunitetet në Strasburg. “Pas verifikimit, sot ky komitet vendosi se “nuk ka mungesë balance në Delegacionin Shqiptar, se Kuvendi i Shqipërisë nuk ka shkelur kërkesat e Rregullores së Asamblesë Parlamentare. Për këtë arsye u vendos unanimisht, siç thuhet në raport, që “kredencialet e delegacionit të Shqipërisë të ratifikohen”. Kryeparlamentarja deklaroi më tej se për asnjë moment nuk ka dyshuar se Këshilli i Evropës do të merrte këtë vendim për Shqipërinë dhe se besueshmëria e vendit nuk rrezikohej. “Kam pritur zyrtarisht këtë vendim, që zyrtarisht të përgjigjem me fjalët e Evropës dhe jo me fjalët e mia. Gjatë gjithë ditës së djeshme kam dëgjuar me durim shpifjet dhe mashtrimet e autorëve të këtyre trakteve kundër Shqipërisë, të përcjella në Strasburg me letër dhe me telefon. Kam ndjekur me durim të gjithë ata që, në media, triumfalisht dhe me kënaqësi, deklaronin se kjo ishte hera e dytë që po i shkaktonin Shqipërisë një atentat të tillë në Strasburg”, - tha ajo, ndërsa shtoi se në fakt kjo nuk është hera e dytë e një incidenti të tillë dashakeqës, por e treta. Sipas kryeparlamentares, edhe 15 vjet më parë përfaqësuesi i Partisë Socialiste, Namik Dokle, deklaroi në seancën ku do të vendosej anëtarësimi i Shqipërisë në Këshillin e Evropës se “molla nuk është pjekur ende”, duke votuar kundër anëtarësimit të Shqipërisë në Këshillin e Evropës, në vitin 1995. “Në cilësinë e Kryetares së Kuvendit, nuk i garantoj dot shqiptarët se të njëjtët shokë dhe shoqe në Partinë Socialiste apo jashtë saj, nuk do të bashkohen për ti bërë Shqipërisë të njëjtin atentat për herë të katërt, të pestë apo të gjashtë. Ajo për të cilën unë garantoj shqiptarët është se besueshmëria e vendit, kredencialet e tij në çdo organizëm, ku ne marrim pjesë, do të ratifikohen gjithnjë, po me votë unanime, si sot”, - tha ajo. Më tej Kryetarja e Kuvendit atakoi kryesocialistin, duke e cilësuar atë si përgjegjësin e kësaj situate, ndërsa i konsideroi veprimet e PS-së si akte të denja për kohën më të errët të Partisë së Punës. “Ata shqiptarë, që më 28 qershor votuan Partinë Socialiste, nuk votuan që shoku Edvin Kristaq Rama, të kërkonte përjashtimin e Shqipërisë nga Këshilli i Evropës dhe as të pengojë liberalizimin e vizave.
Përkundrazi! Çdo shqiptar, pavarësisht për cilën parti ka votuar, ka aspiruar dhe aspiron për ribashkimin e Shqipërisë me Evropën. Turpi është zgjedhje e Edvin Kristaq Ramës. Dështimi, si gjithnjë, është fati i tij. Evropa është zgjedhja dhe fati ynë dhe i gjithë shqiptarëve, përfshirë edhe ata që votojnë Partinë Socialiste…jo Partinë e Punës”,- përfundoi Topalli.

Ky lajm është publikuar: 27/01/2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›