Bashkia bllokon tregun industrial, nuk paguan taksat
14/01/2010 Mungojnë në arkë 29 milionë lekë, nuk u derdh taksa vendore
Shumë prej tregtarëve ambulant kaluan në persona fizik
DURRES- Mbyllet aktiviteti i tregut industrial duke provokuar përsëri situatë konflikti mes bashkisë dhe tregtarëve. Bashkia ka vendosur të mbajë të bllokuar këtë treg deri sa tregtarët të paguajnë shumën në 36 mijë lekë si taksë e vendosur një vit më parë. “Nuk do të hapet tregu deri sa çdonjëri prej tyre të paguajë së paku këstin e parë”,-ka bërë të ditur kryetari i bashkisë Vangjush Dako. Nga arka e bashkisë për vitin 2009 mungojnë afro 29 milionë lekë. Një shumë e tillë qe parashikuar si të ardhura të pritshme të bashkisë nga taksat vendore. Tregtarët ambulantë që ushtrojnë aktivitetin e tyre tregtar në bashki të kategorive të ndryshme janë “shtrënguar” të paguajnë detyrimet e tyre që lindin nga klasifikimi që bashkitë e mëdha kanë bërë për ta si persona fizikë. Një masë e tillë ka ardhur pas “harresës” së tregtarëve për të derdhur detyrimet ashtu si bizneset e tjera. Numri i paguesve të kësaj kategorie për vitin 2009 sipas bashkisë është shumë i vogël. Kalimi i statusit të tyre nga tregtar ambulant në person fizik është ndeshur me protesta të ashpra nga tregtarët e kësaj kategorie. Protesta të tilla janë zhvilluar në Bashkinë e Durrësit, e cila së bashku me atë të Tiranës klasifikohen si bashki të kategorisë së parë, por edhe që kanë numrin më të madh të tregtarëve ambulantë. Nisur nga xhirot vjetore bashkia i ka kaluar tashmë ata si persona fizikë dhe bazuar në paketën e fundit fiskale të miratuar nga Këshilli Bashkiak, ata janë vënë para detyrimit për të paguar shumën e përcaktuar. Një gjë e tillë ka hasur në kundërshtimin e tregtarëve ambulantë në Bashkinë e Durrësit, ndërsa pjesa më e madhe e tyre gjatë vitit të kaluar nuk kanë paguar asnjë qindarkë për arkën e bashkisë. Për këtë arsye Policia Bashkiake nisur nga vendimi i institucionit ka bllokuar dje në mëngjes tregun e madh që shtrihet në unazën e re të qytetit, pranë rrugës së ish-Kënetës. Kjo kategori tregtarësh zyrtarisht njihet si persona fizikë me nivelin e xhiros nga zero deri në 2 milionë lekë në vit, nivel që e kapin më shumë se 85 për qind e tregut. Në Bashkinë e Durrësit ka një numër prej 800-900 tregtarësh që ushtrojnë aktivitet tregtar në dy tregjet industriale. Pjesa dërmuese e tregtarëve është sistemuar tek lagjja numër 17 pranë unazës, kurse të tjerët tek lagjja numër 12 pranë ish-rajonit të policisë.