KEK, jep 33 mijë euro ndihmë për banorët e përmbytur në Shkodër

Korporata Energjitike e Kosovës për të ndihmuar sadopak situatën e rëndë të krijuar në veri të vendit nga reshjet e fundit, kanë vendosur t'i bashkohen iniciativës së qeverisë së Kosovës për të ofruar mbështetje financiare për banorët e Shkodrës. Duke e parë situatën e rëndë që mbizotëron në këtë pjesë, punonjësit e kësaj korporate kanë ndarë nga pagat e tyre shumën totale prej 33,572 euro.
Në një deklaratë për shtyp KEK-u thekson se kjo ndihmë vjen pas ndihmës që kjo korporatë i ka dhënë KESH-it duke marrë energji elektrike aq sa e duron rrjeti i transmisionit nga fundi i dhjetorit dhe gjatë janarit.
"Në vazhdën e këtij bashkëpunimi KEK sh.a. ka shprehur gatishmërinë e plotë të mbetet në dispozicion për të ofruar çfarëdo mbështetje teknike ndaj KESH dhe Shqipërisë në këto momente të vështira, në mënyrë që të vazhdojë të jap ndihmën për tejkalimin e kësaj situate" thekson KEK.