Haiti, tërmeti pati fuqinë e 35 bombave bërthamore
Tërmeti i fuqishëm që goditi të martën Haitin ka qenë i barabartë me 35 bomba atomike, bën të ditur sizmologu i njohur amerikan, Roxher Mason.
Lëkundja prej 7,0 ballësh që ndodhi në një zonë me aktivitet të lartë sizmik, është e ngjashme me atë që ndodhi në vitin 1751 në San Andrea të Kalifornisë.
Kjo pasi tërmeti u shkaktua në një lëvizje horizontale të pllakave tektonike dhe ka qenë i cekët. ''Në vitin 1751 San Andrea u godit nga një tërmet me intensitet 7,3 ballë Rihter'', shton Roxher.
Ndërkohë, Sekretarja amerikane e Shtetit, Hilari Klinton theksoi se përmasat e dëmeve të shkaktuara nga tërmeti që goditi Port-au-Prince, kryeqytetin haitian ishin të paimagjinueshme.
"Tërmeti me magnitudë shtatë ballë Rihter ka shkaktuar dëme të përmasave të paimagjinueshme'', deklaroi Klinton, e cila anuloi vazhdimin e një turneu në Paqësor me qëllim për tu kthyer në Uashington për të ndjekur situatën në Haiti.
"SHBA-ja po bashkëpunon ngushtë me qeverinë haitiane për t'u ardhur në ndihmë mijëra viktimave të fatkeqësisë që u shkaktua si pasojë e tërmetit'', nënvizoi shefja e diplomacisë amerikane.
Dje, kryeministri haitian, Jean-Max Bellerive theksoi se bilanci mund të ishte më i madh se 100 000 viktima.