KEK-u inkasoi 160 milionë

Qytetarët kosovarë kanë filluar të paguajnë faturat e rrymës me rregull. Të parët për pagesa të faturave janë qytetarët e Prishtinës. KEK`u ka njoftuar se vitin që shkoi ka arritur rekord me inkasime, duke mbledhur në total 160 milionë euro, apo 20 për qind më shumë se në vitin 2008.
Sipas një njoftimi nga KEK-u, kjo korporatë vjet arriti rekord në inkasim. Sipas njoftimit, shuma e inkasuar është 160 milionë euro. Rekord në vete thuhet se paraqet edhe muaji dhjetor 2009, kur u inkasuan 18.6 milionë euro, shuma më e lartë e mbledhur brenda muajit ndonjëherë në historinë 60-vjeçare të këtij gjiganti energjetik.
Inkasimi gjatë vitit 2009 ishte mbi 20 për qind më i lartë se një viti më herët, kur shuma e inkasuar ishte 134.5 milionë euro.
Bashkë me të hyrat alternative, që janë afro 8 milionë, KEK-u në vitin 2009 është bërë kompania numër një në vend në të gjitha aspektet, si nga niveli i të hyrave, prodhimi dhe numri i të punësuarve.
Rritjes së inkasimit i ka paraprirë stabilizimi i furnizimit me qymyr, rritja e prodhimit të energjisë elektrike, që ka ndikuar direkt edhe në furnizimin me energji elektrike, i cili është më i miri nga paslufta. Tash e muaj të tërë KEK-u nuk ka aplikuar fare reduktime, pos në raste të fyteve të ngushta apo të prishjeve eventuale, të cilat po sanohen në afatin më shpejtë të mundshëm.