E Shtunë, 31 Tetor 2026

KEK-u përforcohet me të madhe

Edhe pse iu larguan disa futbollistë të rëndësishëm gjatë këtij dimri, KEK-u ka nisur t’i konsolidojë radhët e veta për sezonin pranveror.

Pasi e angazhouan trajnerin e ri Fetah Veliun - i cili nga Vigani në Kastriot kishte ardhur bashkë me disa lojtarë të ekipi të Ligës së Dytë - ‘Elektricistët’ kanë filluar të përforcohen edhe me lojtarë tjerë mjaftë kualitativë.

Së fundmi, bardhegjelbrit i kanë siguruar shërbimet e katër futbollistëve cilësorë e po ashtu janë afër transferimit edhe të tre lojtarëve tjerë.

“Po, së fundmi kemi arritur marrëveshje me Valon Aliun, Granit Canën, Driton Dedincën dhe Ymri Ajvazin”, ka deklaruar kryetari i KEK-ut, Istref Klinaku, ekipi i të cilit pak më herët kishte angazhuar edhe Gent Halitin e Riad Shamaliun.

Ndërkohë, KEK-u është afër finalizimit të marrëveshjeve edhe me tre ish lojtarët cilësorë të saj: Valon Bajramin, Vyrtyt Hashanin e portierin Behar Blakqorin.

“Valon Bajrami veç ka nis të stërvit me ne dhe, sipas të gjitha gjasave, ai do të luajë për KEK-un në pranverë, e po ashtu në bisedime jemi edhe me Vyrtyt Hashanin, por edhe me Behar Blakqorin”, përfundoi Klinaku.

Në pranverë KEK-u do të luftojë për të mbijetuar në Superligë, pasi sezonin vjeshtor e ka përmbyllur në vendin e fundit të renditjes tabelore, me vetëm 15 pikë të tubuara.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›