Racizmi frikëson Kuqin

Shefki Kuqi frikësohet se futbolli kurrë nuk do të eliminojë racizmin. Sulmuesi veteran i Oldham Athletic ndihmoi në qetësimin e bashkëlojtarit Tom Adeyemi, kur ky i fundit kishte filluar të qante pas fyerjes që pësoi në humbjen e javës së kaluar nga Liverpool në FA Cup.
Një 20 vjeçar është arrestuar dhe liruar me kusht deri në përfundim të hetimeve të mëtutjeshme të policisë. Kuqi po ashtu ka qenë viktimë e ofendimeve racore në Finlandë, pas largimit nga lufta në vendlindjen e tij në Kosovë gjatë viteve të 90-ta.
Dhe ai beson se racizmi gjithmonë do të qëndrojë si re e zezë mbi futbollin. “Të gjithë janë duke bërë punë të madhe, në çdo shtet, por nuk mendoj se racizmi do të largohet ndonjëherë”, tha 35 vjeçari Kuqi për tabloidin britanik The Sun.
Racizmi, si asnjëherë më parë, ka qenë njëra prej temave më të përfolura deri më tani gjatë këtij sezoni, sidomos në Premierligë, ku në incidente kanë qenë të përfshirë disa prej yjeve kryesorë të futbollit në Angli.
Sulmuesi i Liverpoolit, Luis Suarez është dënuar me tetë ndeshje moslojë, pasi kishte fyer në baza racore mbrojtësin e Manchester Unitedit, Patrice Evra gjatë një dueli të skuadrave në Premierligë. Kurse kapiteni John Terry akuzohet se ofendoi mbrojtësin e Queens Park Rangers, Anton Ferdinand.
“Kudo që shkoni, gjithmonë do të jetë dikush që mundohet të tregohet i mençur. Jam quajtur me emra të ndryshëm gjatë kohës sa isha në Finlandë, më kanë ndodhur gjëra të ndryshme, e sidomos jashtë fushës pasi isha i huaj. Kurrë nuk e kam parë Tomin aq të hidhëruar. Por, ai nuk është i pari e mendoj se nuk do të jetë as i fundit”, përfundoi Kuqi.