E Diel, 1 Nëntor 2026

KEK-u planifikon të padisë “rebelët” e Mamushës

Prishtinë, 17 gusht - Korporata Energjetike e Kosovës ka paralajmëruar padi kundër disa banorëve të fshatit Mamushë, të cilët kishin vendosur të bënin një riparim në trafo për të zgjidhur problemin e furnizimit me rrymë. Kjo iniciativë e tyre për të investuar vetë në trafo për furnizim me rrymë, pasi ajo nuk ishte riparuar nga KEK-u, ka rezultuar me pasoja të rënda për punëtorët e KEK-ut. Sulmi kundër punëtorëve të KEK-ut ka ndodhur pas përpjekjeve të tyre për të shkyçur nga rrjeti një lagje që ka shumë të madhe të borxhit. Krejt kjo ka ndodhur pasi kryetari i Mamushës dhe përfaqësuesit e lagjes “Mazreku” kishin arritur marrëveshjen që këta të fundit t’i kryenin obligimet ndaj KEK-ut.
“Pas ndërmjetësimit të kryetarit të Komunës dhe kryetarit të Asamblesë së Mamushës dhe përfaqësuesve të komunitetit është arritur marrëveshje për mënyrën e rregullimit të shërbimeve të KEK-ut ndaj konsumatorëve të kësaj zone. Menjëherë pasi është arritur marrëveshja, punonjësit e Korporatës kanë dalë në terren për të realizuar të njëjtën punë”, kanë bërë të ditur zyrtarë për informim të KEF-ut.
Por fshatarët nuk kanë dashur të dinin për marrëveshjen.
Sapo kanë nisur me kryerjen e detyrave, punonjësit e Korporatës kanë hasur në vështirësi dhe janë penguar në realizimin e detyrave të tyre. Këta konsumatorë kanë penguar për dy ditë rresht KEK-un të bëjë punën e vet dhe vetëm pas intervenimit të Korporatës me mbështetje të policisë është arritur të bëhet shkyçja nga rrjeti elektrik i borxhlinjve. Gjatë vazhdimit të punëve, punonjësit janë sulmuar brutalisht. Vendi ku ka ndodhur sulmi është trafoja që furnizon 120 konsumatorë në lagjen “Mazreku” të Mamushës, të cilët i kanë borxh Korporatës më shumë se 300.000 euro.
Dy punëtorë të Korporatës Energjetike të Kosovës të sulmuar në Mamushë nga konsumatorët që nuk kishin paguar borxhet kanë marrë lëndime të rënda. Në të njëjtën kohë ishte demoluar një veturë zyrtare e Korporatës dhe një makinë tjetër ishte bllokuar në vendngjarje. Zyrtarët e KEK-ut pohojnë se punëtorët nuk kanë pasur përcjellje të policisë, pasi që marrëveshja ka qenë institucionale. 
Fshatarët ishin revoltuar pasi që kishin vendosur të investonin vetë në riparimin e një trafoje për furnizim me rrymë.
“Konsumatorët ilegalisht kanë kryer riparime në transformator pa lejen e KEK-ut, prandaj KEK-u për këtë është duke ndjekur procedura legale dhe do të ngre padi kundër atyre që kanë ndërhyrë në asetet  e Korporatës.  KEK-u ka kërkuar nga konsumatorët që t’i kryejnë obligimet që kanë për energjinë e shpenzuar, ndërsa riparimet t’i  kryejë KEK-u”, kanë bërë të ditur zyrtarë për informim të kësaj ndërmarrjeje.
Emrat e punëtorëve të sulmuar dhe që kanë marrë lëndime të rënda janë Arben Kolgeci dhe Shaip Kokollari. Lëndime të lehta kanë pësuar tetë punëtorë të tjerë. Syrmije Kika, zyrtare për informim në KEK, ka thënë se kompensimi i tyre do të bëhet në përputhje të rregullave të KEK-ut. Gazeta është munduar ta kontaktonte kryetarin e Mamushës, por ai nuk ka pasur qasje në telefon. KEK-u ka ftuar organet e rendit të reagojnë kundër këtij sulmi brutal dhe të dënojnë personat që kanë kryer këtë akt kriminal.

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›