E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rritet kuota për kandidatët nga Lugina e Preshevës në UP

Prishtinë, 17 gusht - Ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Enver Hoxhaj ka pritur sot kryetarin e Komunës së Preshevës, Ragmi Mustafa, me të cilin ka biseduar për shumë çështje që kanë të bëjnë me arsimimin e shqiptarëve që jetojnë në Luginën e Preshevës, me theks të veçantë për rritjen e kuotës për kandidatët nga këto komuna që dëshirojnë të studiojnë në Universitetin e Prishtinës.
“Ne si Republikë e Kosovës e kemi obligim moral, shtetëror dhe është obligim evropian që t’i përmbushim të gjitha kërkesat që i kanë shqiptarët e Luginës së Preshevës për qasje të barabartë në arsimin fillor, të mesëm dhe të lartë”, tha ministri Hoxhaj pas takimit, ndërsa bëri të ditur se gjatë këtij viti shkollor Republika e Kosovës do t’i sigurojë 800 abetare falas për nxënësit e klasës së parë në Luginën e Preshevës, sikur që ka bërë edhe vitin e kaluar, thuhet në një komunatë të MASHT-it.
 
Mustafa ka bërë kërkesë që të rritet numri i të pranuarve në Universitetin e Prishtinës për kandidatët nga Lugina e Preshevës. “Kuota, të cilën ne e kemi siguruar, do të rritet edhe për 88 kandidatë të rinj, të cilët do të regjistrohen në drejtime të caktuara në Universitet”, tha Hoxhaj.
 
Kryetari i Preshevës theksoi se problemet e shqiptarëve të Luginës janë të shprehura para se gjithash edhe në fushën e arsimit. “Fatmirësisht, gjatë këtyre dy viteve kemi gjetur një gjuhë të përbashkët, një pritje shumë të mirë nga ministri Hoxhaj, por edhe vet kryeministri Thaçi, të cilët kanë shprehur një gatishmëri për shqiptarët  e Luginës së
Preshevës për unifikimin e arsimit me të gjitha trojet tjera shqiptare”, tha Mustafa.
 
Ai përmendi faktin se shqiptarët e Luginës së Preshevës nuk kanë universitete, madje
asnjë fakultet në gjuhën shqipe, “prandaj, adresa jonë është Ministria dhe universitetet në Republikën e Kosovës dhe atë të Shqipërisë”.

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›