Prifti-Skundric, diskutohet projekti i gazsjellësit
Zhvillimi i marrëdhënieve dhe bashkëpunimit të mëtejshëm ekonomik kanë qenë tema kryesore rreth së cilës diskutuan Ministri i Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës, Dritan Prifti dhe homologu i tij serb, Petar Skundric. Sektori më potencial ku të dy ministrat ranë dakord për investime ishte energjetika. Ministri serb për Minierat dhe Energjinë shfaqi ambicien e përbashkët të Serbisë, për t'u kthyer në një superfuqi energjetike në rajon. Në këtë aspekt një tjetër detaj i rëndësishëm ishte mospërjashtimi i Kosovës nga harta e bashkëpunimit. "Kosova mund të jetë pjesë e këtij partneriteti, mund të ketë një tematikë në çështje të përbashkëta që diskutohen në këtë lloj partneriteti dhe besoj ky partneritet mund të ndikojë në rritjen dhe përmirësimin e marrëdhënieve, jo vetëm mes Shqipërisë dhe Serbisë, por dhe të rajonit" tha Prifti. Në këtë pjesë u diskutua edhe lidhur me gazsjellësin South Stream. "është një propozim që bëri ministri Skundric, që Serbia mund të furnizojë Shqipërinë me gaz, sepse në Serbi sot Shqipëria merr më shumë se sa 2.5 miliardë m3 gaz dhe Serbia mund të ketë kapacitete të tjera në të ardhmen, nëse nëpërmjet Serbisë do të kalojë dhe tubacioni South Stream. Ai do të ketë 60 miliardë m 3 gaz. Serbia bëri një ofertë për të furnizuar Shqipërinë me gaz në të ardhmen, ofertë e cila do të diskutohet mes institucioneve tona", u shpreh kreu i Ekonomisë në vend.