E Shtunë, 31 Tetor 2026

Mungesat, maturanët i shpëtojnë ndëshkimit

Porosia e MASH-it i përjashton ata nga rregulli i përgjithshëm i largimit prej orëve të mësimit

Maturantët e këtij viti nuk do të penalizohen më nga numri i mungesave. Ata të gjithë do të shkojnë në provimet përfundimtare, pavarësisht nga pjesëmarrja e tyre në orët e mësimit. Kështu, kufizimi i 45 mungesave në një semestër nuk do të përbëjë më problem për të rinjtë e viteve të fundit të shkollave të mesme në vend. Ka qenë një porosi e dalë së fundmi nga Ministria e Arsimit, e cila u ka bërë këtë lëshim maturantëve. Nuk bëhet fjalë për një urdhër me shkrim, por për një porosi të shpërndarë nga MASH-i nëpër Drejtoritë Arsimore në Tiranë e në rrethe e më tej në të gjitha shkollat e vendit.

Sipas drejtuesve të disa shkollave, në kryeqytet bëhet fjalë për një lëshim që u bëhet maturantëve, me qëllim që ata të gjithë të jenë pjesëmarrës në procesin e Maturës Shtetërore dhe të mos kenë pengesa të tilla si ajo e mungesave. Nga ana tjetër, ata shtojnë se qëllimi është që të mos ketë mbetës, e për më tepër nga mungesat. Duket se statistikat e zbehta të kalueshmërisë dhe pjesëmarrjes së nxënësve në klasa për semestrin e parë në shkallë vendi e kanë detyruar Ministrinë e Arsimit që të bëhet “tolerante” me ata që vetëm pas pak kohësh do të duhet të përballen me njohuritë e katër viteve të gjimnazit.

Ndërkohë që rregulli për të mos shkelur 45 mungesa në një semestër vazhdon të qëndrojë në fuqi për të gjithë nxënësit e tjerë të shkollave të mesme, por në vitet më të ulëta. Pra, nëse një nxënës ka plotësuar 20% e mungesave detyrimisht duhet t’i nënshtrohet provimit për lëndën ku ka munguar. Por, nëse ato arrijnë në nivelin e 50 përqindëshit, atëherë lënda mbartet nëse është me zgjedhje dhe gjimnazisti mbetet në klasë, kur kjo lëndë është e programit bazë. Ndryshe qëndron puna për lëndët me zgjedhje, ku sërish Ministria e Arsimit ka bërë lëshime për nxënësit e gjimnazeve.
Frekuentimi i mësimit nga nxënësit e të mesmeve është shndërruar në një nga problemet më të mëdha të arsimit parauniversitar. Kjo, për shkak të faktit se shumë të rinj preferojnë që orët e mësimit t’u kalojnë kafeneve dhe të mos shkojnë në klasë. Ndërsa për procesin e të mësuarit, janë mësuesit ata që jo vetëm ankohen së tepërmi, por edhe i tremben ndëshkimit nga ana e drejtorive të shkollave. Kështu, në klasat ku interesimi i nxënësve për mësimin është i ulët dhe madje në shumë prej tyre mungon krejtësisht, drejtoritë e shkollave fajësojnë direkt mësuesit. Këta të fundit pohojnë se ka një kategori nxënësish me të cilët as nuk bëhet fjalë të punosh, pasi nuk bashkëpunojnë sido që të sillen.

Aktualisht në gjimnaze po punohet me programet e pyetjeve të maturës, në kuadër të përgatitjeve të fundit për këtë proces. Sipas vetë mësuesve të shkollave të mesme, këto programe janë mjaft të gjera dhe kërkojnë një përgatitje të vazhdueshme ndër vite të nxënësve. Ata pohojnë se është e vështirë për një nxënës që nuk ka qenë sistematik në mësime për të katër vitet e gjimnazit që të përtypë të gjithë programin e pyetjeve në një kohë të shkurtër, të barabartë me një semestër. Ndaj dhe për ata që bëjnë mungesa në orët e mësimit, duket se lëshimi i fundit i ministrisë nuk do t’i ndihmojë shumë.

#

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›